• e martë, 02 korrik 2024

Berbok: Putini nuk dëshiron të negociojë

Berbok: Putini nuk dëshiron të negociojë

Berlin, 30 mars 2024 (MIA) - Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbok deklaroi se pret përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë, duke vlerësuar se presidenti rus Vlladimir Putin nuk dëshiron të negociojë.

"Ai e bën më se të qartë se është përtej mundësive të argumenteve racionale dhe vlerave të njerëzimit. Dhe sigurisht që nuk dëshiron të negociojë", tha Berbok për grupin mediatik "Funke".

Shefja e diplomacisë gjermane vlerësoi se do të ketë pasoja të paimagjinueshme nëse Ukraina mposhtet në luftë.

"Njerëzimi duhet të fitojë", tha Berbok, duke shtuar se siguria e Evropës dhe rendi ndërkombëtar do të kërcënohen nëse Rusia mposht Ukrainën.

"Mbështetja e Ukrainës është garancia jonë e sigurisë", beson Berbok.

Megjithatë, ajo përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore evropiane në Ukrainë.

Sipas Berbok, qëllimi i Putinit është të shkatërrojë ekzistencën e Ukrainës si një vend i pavarur dhe i lirë dhe të tërheqë NATO-n në luftë.

"Ne e kemi bërë të qartë që në fillim se nuk do ta lejojmë kurrë këtë", tha ajo. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR