• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BDI reagon për deklaratën e kryeministrit për Gjykatën Kushtetuese

BDI reagon për deklaratën e kryeministrit për Gjykatën Kushtetuese

Shkup, 17 dhjetor 2024 (MIA) – Bashkimi Demokratik për Integrim në një reagim të publikuar në rrjetet sociale e dënoi deklaratën e djeshme të kryeministrit Hristian Mickoski se gjykatësi nga Gjykata Kushtetuese, i cili ka dhënë deklaratë lidhur me kauzën shqiptare, duhet të japë dorëheqje. 

“BDI dënon kërkesën e kryeministrit për dorëheqjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, për shkak të rezistencës së tij ndaj përpjekjeve të gjykatës për të zbatuar urdhra partiake. Në vend që të reagojë ndaj sjelljes skandaloze të kryetarit të Gjykatës, i cili publikisht ka pranuar se qëllimisht nuk e zbaton Ligjin për Gjuhët, sepse “nuk i pëlqen”, kryeministri vazhdoi të ushtrojë presion mbi gjykatën për të realizuar iniciativën partiake”, thuhet në reagimin e BDI-së të publikuar në Fejsbuk. 

Nga BDI kërkojnë që të tërhiqet nisma për kontestimin e Ligjit për gjuhët për çka  javën e kaluar në seancë debatoi Gjykata Kushtetuese dhe mori vendim që të mbahet mbledhje përgatitore

Kryeministri në emisionin “Klik Plus” në televizionin 21, ku ishte mysafir duke folur për mbledhje e javës së kaluar të Gjykatës Kushtetuese në të cilën pati debat për Ligjin e Gjuhëve, nuk theksoi se për cilin gjykatës kushtetues mendon, vetëm tha se gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese duhet të japë dorëheqje sepse ka dhënë deklaratë lidhur me kauzën shqiptare. 

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar ka shqyrtuar nismat e parashtruara për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ka marrë vendim për mbajtjen e seancës përgatitore. Në seancën e Gjykatës Kushtetuese nuk morën pjesë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari. Menjëherë para votimit të rendit të ditës së propozuar për këtë seancë, gjykatësi Fatmir Skender sugjeroi që pika me nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të shtyhet për shkak të mungesës së dy gjykatësve. Propozimi nuk u pranua, kështu që gjykatësi Skender vendosi të mos marrë pjesë në seancën për pikën e parë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në konferencë për media pas mbledhjes deklaroi se vendimi për mbledhjen përgatitore nuk është dobësi dhe se pas nismave do të debatohet më së voni në maj. Kostadinovski theksoi se gjykata është e ekspozuar në presione politike dhe manipulime, por se do të vazhdojë me veprimin për këtë lëndë, duke kërkuar mendime nga ekspertë të huaj që të sigurojë pavarësi dhe paanshmëri. Ai i hodhi poshtë akuzat për ndikim politik dhe mbivotim etnik, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese është rojtare e Kushtetuetës dhe drejtësisë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR