• e enjte, 26 dhjetor 2024

Arrihet marrëveshje për armëpushim të plotë në Nagorno-Karabah

Arrihet marrëveshje për armëpushim të plotë në Nagorno-Karabah

Stepanakert, 20 shtator 2023 (MIA) - Separatistët armenë në Nagorno-Karabah sot kanë publikuar se do të ketë armëpushim dhe do t'i dorëzojnë armët, duke sinjalizuar fundin e operacionit antiterrorist që e kanë filluar forcat azerbajxhanase në rajonin e shkëputur.

Përmes ndërmjetësimit të komandës të kontingjentit paqeruajtës rus të stacionuar në Nagorno Karabah, është arritur marrëveshje për armëpushim të plotë nga ora 13 (sipas orës së Griniçit) më 20 shtator të vitit 2023, kumtoi kryesia e vetëshpallur e rajonit në publikimin në rrjetet sociale.

Operacioni i Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah do të përfundojë po qe se seperatistët armenë i "dorëzojnë armët", tha paraprakisht presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev në një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, thuhet në komunikatën e presidentit.

Aliev i ka thënë Blinkenit se "masat antiterroriste do të ndërpriten nëse (forcat e karabahut) e dorëzojnë armën", thuhet në komunikatë.

"Çështjet e ngritura nga pala azerbajxhanase për riintegrimin, garantimin e të drejtave dhe sigurisë së armenëve të Nagorno-Karabahut... do të diskutohen në takimin ndërmjet përfaqësuesve të popullatës lokale armene dhe autoriteteve qendrore të Republikës së Azerbajxhanit. Ata do të mbahen në qytetin Jevlah nesër, më 21 shtator", njoftuan sot autoritetet separatiste. 

Një ish-funksionar në administratën e armenëve etnikë në Nagorno-Karabah deklaroi sot se pothuajse 100 njerëz janë vrarë, ndërsa qindta të tjerë janë plagosur në rajonin e shkëputur pasi që Azerbajxhani filloi, siç tha "luftë të madhe".

Azerbajxhani i ka hedhur poshtë akuzat se qëllimi i tij është spastrimi etnik i Karabahut dhe thotë se do t'i mbrojë të drejtat e civilëve armenë në zonë sipas kushtetutës vetanake.

Shtëpia e rreth 120.000 njerëzve, Nagorno-Karabah është një rajon etnik armen në Azerbajxhan që ka qenë vatër që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Rajoni dhe territoret e mëdha përreth kanë rënë nën kontrollin e forcave etnike armene me mbështetjen e ushtrisë armene në fund të luftës separatiste. Azerbajxhani rifitoi territore dhe pjesë të vetë Nagorno-Karabahut në luftimet në vitin 2020.

Shumica e popullsisë së Azerbajxhanit u dëbua nga fundi i luftimeve në 1994. Më pas, në mes të luftimeve në vitin 2020, rreth 90 mijë armenë etnikë u zhvendosën, disa prej tyre dogjën shtëpitë e tyre përpara se azerbajxhanasit të shpërnguleshin.

Në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit, deri më tani kanë vdekur 27 persona, mes të cilëve dy civilë, dhe mbi 200 janë plagosur. Azerbajxhani njoftoi se dy persona u vranë në territoret e Karabahut nën kontrollin e tyre. Banorët e disa fshatrave janë evakuuar dhe Azerbajxhani ka njoftuar se janë hapur “korridoret humanitare” për evakuim. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR