Arrestohen 29 futbollistë në Turqi shkaku i basteve
- Autoritetet turke lëshuan sot urdhërarrest për 46 persona, përfshirë 29 futbollistë, si pjesë e një hetimi të gjerë për kurdisjen e ndeshjeve, njoftoi Zyra e kryeprokurorit në Stamboll.
- Post By Fami Bajrami
- 13:07, 5 dhjetor, 2025
Stamboll, 5 dhjetor 2025 (MIA) – Autoritetet turke lëshuan sot urdhërarrest për 46 persona, përfshirë 29 futbollistë, si pjesë e një hetimi të gjerë për kurdisjen e ndeshjeve, njoftoi Zyra e kryeprokurorit në Stamboll.
Nga 29 futbollistët, autoritetet dyshojnë se 27 prej tyre kanë vënë baste në ndeshjet në të cilat luanin ekipet e tyre, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Midis tyre është Metehan Baltaxhi, lojtar i kampionit aktual turk Galatasaraj, ndërsa prokuroria nuk ka zbuluar identitetin e 26 futbollistëve të tjerë të përfshirë.
Futbollisti i një gjiganti tjetër turk, Fenerbahçe, Mert Hakan Jandash, dyshohet se ka vënë baste në ndeshje të ndryshme përmes një pale të tretë.
Prokuroria e cila kumtoi se deri tani janë arrestuar 35 nga gjithsej 46 të dyshuar, ka urdhëruar gjithashtu arrestimin e kryetarëve të dy klubeve të dyshuara për "tentim për të ndikuar në rezultatin" e një ndeshjeje midis ekipeve të tyre në ligën e tretë në sezonin 2023/2024.
Hetimi i Prokurorisë në Stamboll e cila ka tronditur futbollin turk, në fillim të nëntorit ka çuar tashmë në arrestimin e gjashtë gjyqtarëve të futbollit, si dhe të kryetarit të klubit të Ejupsporit që është në ligën e parë.
Federata Turke e Futbollit (FTF) e cila pretendon se dëshiron ta “pastrojë” futbollin turk nga aktivitetet e paligjshme, më parë kishte suspenduar gati 150 gjyqtarë pasi u shpallën fajtorë për baste në ndeshje.
Njëzet e pesë lojtarë të ligës së parë dhe gati 1.000 të tjerë që luanin në ligat e dyta, të treta dhe të katërta, gjithashtu u suspenduan në nëntor në një periudhë kohore prej 12 muajsh.
FOTO: EPA