• e shtunë, 09 nëntor 2024

Analizë: Pas hyrjes së ASH-së në qeveri, ristrukturim i mundshëm i partive shqiptare

Analizë: Pas hyrjes së ASH-së në qeveri, ristrukturim i mundshëm i partive shqiptare

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përfitimin më të madh nga hyrja e Aleancës së Shqiptarëve (ASH) në Qeveri dhe dalja nga koalicioni qeverisës i Alternativës. Në periudhën në vijim mund të presim një ristrukturim të skenës politike tek shqiptarët dhe një ndarje të partive nga pushteti dhe nga opozita, që duhet të përcaktohen në muajt në vijim, duke qenë se viti 2024 është vit zgjedhor, konsiderojnë  analistët.

 
 

Analisti dhe gazetari investigative Xhelal Neziri në një prononcim për MIA-n thotë se hyrja e ASH-së në Qeveri neutralizoi pushtetin e partnerëve më të vegjël në koalicion, por edhe të “Grupit të Zjarrit” si fraksion që ende funksionon në kuadër të BDI-së.

“Në periudhën e ardhshme pritet një ristrukturim i skenës politike tek shqiptarët etnikë, ku pritet të krijohen dy koalicione partish: njëra do të përbëhet nga partitë që janë pjesë e qeverisë, ndërsa e dyta - ato në opozitë. Tani për tani në opozitë janë vetëm BESA dhe Alternativa, por nëse “Grupi i Zjarrit” vendos të shkëputet nga BDI-ja apo të përjashtohet nga partia, atëherë këto tri subjekte politike do të tentojnë të bashkohen në një koalicion opozitar, i cili ideologjikisht do të shkonte drejt qendrës së djathtë”, thotë në deklaratën për MIA-n, Neziri.

Pritjet e tij janë që në zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare, të vitit 2024, të kemi koalicione ideologjike parazgjedhore, të cilat do t'i japin demokracisë cilësi dhe vlerë shtesë.

Profesoresha Bojana Naumovska nga Instituti i Kërkimeve Sociologjike dhe Politiko-Juridike, në deklaratën e saj për MIA-n thekson se edhe pse të gjitha partitë e tjera të shqiptarëve në vend ndërtuan identitetin e tyre pjesërisht në sulmin e BDI-së, BDI-ja arriti t'i futë të gjitha ato shkurtimisht në Qeveri dhe t'i nxjerrë jashtë, pra se t'i bëjë "pjesëmarrëse në procese".

“Ky është këndvështrimi im personal për situatën. Të vetmin përfitim nga të gjitha këto procese do të ketë BDI-ja, aq më tepër që asnjë nga zyrtarët e tjerë nuk arriti të dalë nga matrica etnike”, thotë Prof. Naumovska.

Sipas saj, “Grupi i Zjarrit” mund të veprojë në dy drejtime. “Njëri është pozicionimi më i mirë i “Grupit të Zjarrit” në rast të largimit të Ali Ahmetit nga politika dhe tjetri është ndarja nga partia mëmë për të mbajtur votuesit e pakënaqur”, thekson ajo.

Ajo përkujton se Maqedonia e Veriut ka përvojë në formimin e një partie e cila del nga një parti për të mbajtur votuesit në ato qarqe.

“Pozitive në këtë proces është se personazhet janë të njohur për publikun së bashku me kapacitetet e tyre për të menaxhuar institucionet dhe proceset, pra qytetarët do të dinë se për kë po votojnë pavarësisht nga emri i parties”, konsideron Prof. Naumovska.

Fatkeqësisht, shton ajo, pare në vija të përgjithshme, përkatësia etnike dhe partiake do të vazhdojë edhe më tej të jetë kusht për punësim dhe ngritje në detyrë në vend të kompetencës dhe aftësisë dhe janë pikërisht këto politika që na kanë çuar në fund.

 

Shumicë më e qëndrueshme për Qeveri më të qëndrueshme, por pa pritshmëri për përmirësim

Pas dy javësh debat në Kuvend, që nga dje në postet e tyre ministrore janë ministrat  e ASH-së, Ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhti,  Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe të LSDM-së, Ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova.

Neziri beson se Qeveria e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe maxhoranca e re qeverisëse me tetë anëtarët e ASH-së do të jetë më stabile dhe projektet e saj nuk do të presin shumë për miratim në Kuvend. Megjithatë, nuk pritet përmirësim në punën e Qeverisë. Por, sipas profesoreshë Naumovskës, ky ndryshim në Qeveri do të thotë vetëm formalitet dhe nëse të arriturat do të maten individualisht, si kusht për të mbetur në Qeveri, do të duhej të kishim propozim për Qeveri të re.

 

 

 

Analisti Neziri thekson se nuk pret dallime të theksuara sa i përket përmirësimit të performancës së Qeverisë së re, por beson se ajo do të jetë më e qëndrueshme.

“Ky stabilitet mund të kontribuojë në një efikasitet më të madh të Qeverisë sepse projektet e saj nuk do të duhet të presin gjatë për miratimin e Kuvendit. Parlamenti deri më tani ishte pothuajse tërësisht jofunksional, pa kapacitete të mjaftueshme për të krijuar kuorum dhe pa shifra të qëndrueshme për miratimin e ligjeve reformuese. Në një situatë si kjo, ku shumica parlamentare është e hollë dhe e fragmentuar në parti dhe grupe të ndryshme interesi, Qeveria ishte gjithmonë e varur dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ato ishin gjithmonë një opsion. Kjo ka kontribuar që edhe Qeveria edhe Kuvendi të funksionojnë në një krizë të vazhdueshme, pa parashikueshmërinë e nevojshme të ngjarjeve për të planifikuar më mirë projektet”, thotë Neziri.   

Profesoresha Naumovska, nga ana tjetër, mendon se do të ketë ndryshim në Qeverinë e Kovaçevskit, por për fat të keq vetëm formal.

“Në vend të personit AA, tani posti i ministrit/drejtorit do të jetë personi BB. Nëse të arriturat do të maten individualisht, si kusht për të mbetur në Qeveri, do të duhej të kishim një propozim për një Qeveri të re. Fatkeqësisht, pas gjithë këtyre viteve të udhëheqjes së shtetit të dominuar nga BDI-ja dhe LSDM-ja, mund të konstatojmë se bëhet fjalë ose për drejtimin e institucioneve nga kuadro të pakualifikuar për ato pozita ose fokusim i plotë në interesat personale dhe partiake”, thekson profesoresha Naumovska.

Sipas saj, termi "shteti i së drejtës" është present vetëm në tekstet shkollore dhe kjo është arsyeja e numrit të madh të emigrimeve të familjeve të tëra me një cilësi solide jetese, nuk kemi asnjë koncept të zhvillimit të arsimit, kjo tregohet nga numri i largimit të studentëve dhe rezultatet nga testet e ndryshme, dhe shkenca, e cila duhet të jetë shtylla e zhvillimit të shoqërisë, merr një buxhet real prej 0 për qind, nuk ka fare ndjesi për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, ekonomia dhe sektori privat janë në stagnim dhe sektori i kulturës nuk e financon kulturën.

Sa i përket funksionimit të partive politike dhe sistemit zgjedhor, prof. Naumovska thotë se është e nevojshme ndryshimi i rregullores zgjedhore, që nënkupton hapësirë ​​për të gjithë.

“Duke parë qeveritë dhe mënyrën e menaxhimit, në përgjithësi, nga aspekti i ekspertizës sime, imponohet edhe nevojëa e ndryshimit të rregullores zgjedhore, që nënkupton hapësirë ​​për të gjithë. Në një rast të tillë, partitë që erdhën në pushtet me konceptin “Një shoqëri për të gjithë” do ta dinë se do të ndëshkohen nëse e kthejnë vendin në “Shoqëri për disa”. Modeli aktual i Gjashtë njësive zgjedhore u jep komoditet partive më të mëdha që nuk është përdorur kurrë në mënyrë konstruktive. Prandaj modeli i përzier, modeli proporcional nuk do të lejohet kurrë të hidhet në tavolinë dhe siç e shohim, edhe ndryshimi minimal drejt një njësie zgjedhore nuk është realitet edhe pse ishte pjesë e programit parazgjedhor të LSDM-ja dhe premtimi i tyre ndaj partnerëve më të vegjël”, thekson profesoresha Naumovska.

Elizabeta Veljanovska Najdeska

foto: Arkivi i MIA-s/Arkivi Privat

QËNDRONI TË LIDHUR