• e martë, 24 dhjetor 2024

Dimitrieska-Koçoska nga Brukseli: Jemi të përkushtuar në reformat dhe investimet që do të na afrojnë me BE-në

Dimitrieska-Koçoska nga Brukseli: Jemi të përkushtuar në reformat dhe investimet që do të na afrojnë me BE-në

Bruksel, 8 nëntor 2024 (MIA) - Qeveria është fuqimisht e përkushtuar në zbatimin e reformave që janë pjesë e Agjendës së Reformës dhe që paraqesin një udhërrëfyes real për një afrim më të shpejtë drejt BE-së dhe për ngritjen e standardit të qytetarëve, tha sot në Bruksel ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë takimeve me përfaqësues nga Drejtoria e përgjithshme për politikat e fqinjësisë dhe zgjerimin e Komisionit Evropian (DG NEAR).

"Ajo që është kyçe dhe të cilës Qeveria i kushton rëndësi është zbatimi i reformave për të arritur rritje të përshpejtuar ekonomike. Përveç agjendës reformuese, e cila është përcaktuar së bashku me KE-në, kemi shumë aktivitete të parapara në Programin e punës 2024-2028, të cilat do të sjellin ndryshime për një të nesërme më të mirë", tha Dimitrieska-Koçoska.

Ajo theksoi se një nga dokumentet më të rëndësishme që pasqyron politikat që do të krijohen - Buxheti për vitin 2025, është përgatitur dhe dorëzuar në procedurë parlamentare. 

“Ajo për të cilën do të jemi të përkushtuar ndër të tjera është realizimi i investimeve sepse ato sjellin rritje ekonomike, por sigurisht që prioritet është edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, theksoi ministrja e Financave.

Dimitrieska-Koçoska theksoi se ka shumë punë përpara në realizimin e reformave dhe u falënderua për mbështetjen që vendi e merr nga BE-ja. Në bisedat e takimeve u theksua se përparimi në zbatimin e reformave, si dhe forcimi i kapaciteteve të administratës, do të hapin mundësi për qasje më të madhe në mjetet nga fondet e BE-së dhe për investime në rritje. 

Dimitrieska-Koçoska, dje në Bruksel, mori pjesë në konferencën "Vota, zgjedhje dhe lidership: Një pikë kthese për Evropën" organizuar nga tink-tenku "Miqtë e Evropës", ku ishte një nga folësit në panelin e titulluar "Zgjerimi i Evropës: Me çfarë çmimi dhe me çfarë strukture?”, ndërsa para kësaj ka pasur takim edhe me përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane (EPP). ls/

Foto: Ministria e Financave.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR