• e enjte, 26 dhjetor 2024

Anëtarët e BE-së ranë dakord për vazhdimin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët ukrainas

Anëtarët e BE-së ranë dakord për vazhdimin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët ukrainas

Bruksel, 29 shtator 2023 (MIA) - Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për vazhdimin e masës së përkohshme për mbrojtje të përkohshme të personave që ikin nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës edhe për një vit deri më 4 mars të vitit 2025, në mënyrë që t'u garantohet siguria për më shumë se katër milionë refugjatë ukrainas të cilët momentalisht jetojnë në Union.

Me këtë rast ministri spanjpoll i Punëve të Brendshme Fernando Grande-Marlaska Gomez, vendi i të cilit është kryesues aktual i BE-së, tha se Unioni do të mbështesë popullin ukrainas për aq kohë sa të jetë e nevojshme. 

"Vazhdimi  i statusit për mbrojtje ofron siguri për më shumë se katër milionë refugjatë që kanë gjetur strehim të sigurt në BE, theksoi Grande-Marlaska Gomez. 

 Mekanizmi për mbrojtje të përkohshme u aktivizua më 4 mars të vitit 2022, vetëm disa ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, dhe u mundëson refugjatëve nga Ukraina të gëzojnë të drejtat për qëndrim, mbrojtje sociale dhe shëndetësore, arsim për fëmijët, si dhe qasje në tregun e punës në vendet anëtare të BE-së.

Fillimisht mekanizmi ishte i vlefshëm për një vit, por më pas u vazhdua dy herë deri më 4 mars të vitit 2024, ndërsa tani Komisioni Evropian propozon ai të zgjasë deri më 4 mars të vitit 2025. 

 Përndryshe, mbrojtja e përkohshme është një mekanizëm i BE-së i cili aktivizohet në rrethana të jashtëzakonshme të fluksit masiv të refugjatëve. BE-ja e miratoi Direktivën për Mbrojtje të Përkohshme në vitin 2001, të nxitur nga zhvendosja dhe fluksi i refugjatëve për shkak të konflikteve të armatosura në Ballkan, para së gjithash nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR