• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Ambasadori i ri i BE-së Kristiane Homan ka mbërritur në Shqipëri

Ambasadori i ri i BE-së Kristiane Homan ka mbërritur në Shqipëri
Tiranë, 2 gusht 2022 (MIA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i ka pranuar sot Letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Kristiane Homan. Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare, Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE i ka dhënë Shqipërisë në tri dekadat e fundit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për asistencën financiare të dhënë për përballimin e dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e lehtësimin e situatës gjatë pandemisë së KOVID-19. Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se ardhja e Homan në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE. Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. “I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e vendet anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi”, nënvizoi presidenti Begaj. Ambasadorja Hohmann e uroi Presidentin Begaj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo foli për progresin e arritur nga Shqipëria deri tani dhe sfidat që ka përpara, ndërsa vendi nis një kapitull të ri në rrugën e tij drejt BE-së. “Procesi i anëtarësimit në BE ka nevojë për përpjekje të qëndrueshme reformash nga Shqipëria përtej procesit të negociatave. Unë dhe ekipi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri jemi gati ta mbështesim vendin dhe popullin e tij në këtë rrugë emocionuese drejt anëtarësimit në BE”, tha Homan. Ambasadorja Homan ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë si ambasadore në Bosnjë e dhe Hercegovinë. Para kësaj, Homan ka mbajtur poste të ndryshme diplomatike në SHBA dhe në Komisionin Evropian. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR