• e enjte, 22 gusht 2024

Ambasada amerikane në Shkup mbështet drejtorin Skender Asani dhe ITSHKSH si partnerë afatgjatë

Ambasada amerikane në Shkup mbështet drejtorin Skender Asani dhe ITSHKSH si partnerë afatgjatë

Shkup, 21 gusht 2024 (MIA) - Drejtori ITSHKSH-së, Skender Asani, është takuar me u.d. zëvendësambasador dhe shefin e zyrës politike në Ambasadën e SHBA-së në Shkup, Dejvid Majers.

Temat kryesore të cilat drejtori Asani i shpalosi para diplomatit amerikan ishin veprimtaria shkencore e hulumtuese e Institutit, përfshirë edhe konferencat shkencore si dhe botimet e shumta, duke e siguruar atë se Instituti që ai drejton vazhdon të mbetet promotor i nxitjes së dialogut dhe mirëkuptimit ndëretnik dhe ndërefetar.

Ky është edhe diskursi, sipas Asanit, mbi të cilin mbështetet qasja e tij si drejtues dhe si studiues në hapjen e temave që shërbejnë si preventivë ndaj situatave e rrethanave të caktuara politike e shoqërore. Ai u shpreh se ka qenë e domosdoshme që ITSHKSH-ja të jetë imun ndaj ndikimeve të jashtme politike, sepse vetëm një institucion i depolitizuar garanton sukses dhe perspektivë, tha Asani.

Asani e informoi diplomatin amerikan se ITSHKSH-ja me sukses po e krijon kulturën e dijes, me të gjitha premisat e metodologjive të avancuara shkencore. Dalja në tregun e gjerë të konkurrencës si dhe thellimi i bashkëpunimit vendor e rajonal, sipas drejtorit Asani, janë shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet identiteti i punës shkencore-hulumtuese së ITSHKSH-së.

Diplomati amerikan, Dejvid Majers, gjatë takimit ka dhënë mbështetje për punën e gjithëmbarshme të ITSHKSH-së, dhe për kursin drejtues të drejtorit Asani, duke e konsideruar atë partner dhe bashkëpunues të politikave amerikane.

Ai ka deklaruar që të ruhet autonomia e punës menaxhuese të ITSHKSH-së dhe me këtë rast e ka përgëzuar drejtorin Asani për këmbëngultësinë në avancimin e kauzave shkencore e civilizuese përmes ITSHKSH-së, veprimtaria e të cilit, siç tha ai, vazhdon të mbetet në fokusin e vëmendjes së Ambasadës amerikane në Shkup. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR