• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Murtezani: Ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar do të ishin garanci se nuk do të ketë bllokada të reja, korniza e negociatave nuk ndryshon

Murtezani: Ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar do të ishin garanci se nuk do të ketë bllokada të reja, korniza e negociatave nuk ndryshon

Shkup, 22 gusht 2024 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në një deklaratë për TV 21, theksoi se shpreson që deri në dhjetor, e ndoshta edhe më herët, të gjendet zgjidhje për ndryshimet kushtetuese dhe një nga modalitetet është zbatimi me vonesë si garanci se nuk do të ketë bllokime shtesë.

"Shpresoj që, ndoshta edhe para këtij afati, të jetë e mundur të kemi një zgjidhje potenciale që do të zhbllokojë përfundimisht integrimin evropian të RMV-së, por në të njëjtën kohë duke pasur një garanci se rruga jonë drejt BE-së nuk do të bllokohet më gjatë negociatave", tha Murtezani.

Ministri tha se koalicioni VLEN mbetet parimor në kërkesën e tij për të gjetur një zgjidhje të mundshme për ndryshimet kushtetuese në këtë gjashtëmujor. Sipas tij, askush në Qeveri nuk e konteston nevojën për ndryshime kushtetuese, por janë duke u shqyrtuar mënyrat për të mbrojtur më tej procesin.

Murtezani sqaroi se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar janë një nga modalitetet që po shqyrtohen dhe ku duhet të merren parasysh protokollet tashmë të nënshkruara me Bullgarinë, të cilat u bënë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Ai thotë se është i vetëdijshëm për pretendimet e ambasadorit evropian Dejvid Gir se nuk është e mundur të ndryshohet korniza e negociatave dhe për këtë arsye po shqyrtohen modalitete që ta kenë parasysh këtë.

"Ne e dimë këtë fakt, prandaj e kemi tejkaluar këtë si çështje, sepse është qëndrim edhe i 27 vendeve anëtare të BE-së, jo vetëm Bullgarisë. Nuk nënkupton ndryshimin e kornizës së negociatave. Po shqyrtohen modalitetet se si mund të gjejmë zgjidhje, pa rrezikuar kornizën e negociatave, sepse zyrtarisht kemi mesazhe të qarta se nuk mund të ndryshohet", tha Murtezani. sa/

Foto: TV 21

 

QËNDRONI TË LIDHUR