• e diel, 01 shtator 2024

Aksion i policisë së Kosovës në veri, mbyllen pesë komuna paralele serbe

Aksion i policisë së Kosovës në veri, mbyllen pesë komuna paralele serbe

Prishtinë, 31 gusht 2024 (MIA) - Policia e Kosovës mbrëmë publikoi se ka kryer një aksion për mbylljen e objekteve që përdoren nga strukturat paralele të menaxhuara nga autoritetet në Serbi në komunat e Kosovës në veri të vendit, të banuara me shumicë. të serbëve, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në lidhje me aksionin, ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se janë mbyllur pesë komuna paralele.

Krasniqi në faqen e tij në Fejsbuk ka shkruar se tani nuk do të funksionojnë më komunat paralele: Qarku i Mitrovicës, komuna paralele e Mitrovicës, si dhe komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës", ka shkruar Krasniqi.
 

Ministri kosovar, i cili vjen nga radhët e partive të komuniteteve joshumicë në Kosovë, tha se “institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre”.

"Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë", theksoi Krasniqi.
 
 Ndërkohë, në kumtesën e policisë së Kosovës, thuhet se aksioni është zhvilluar në pesë ndërtesa.
 

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin verior, Veton Elshani, deklaroi se në zyrat që janë mbyllur sot janë lëshuar dokumente të falsifikuara.

Duke protestuar para policisë në aksionin në veri, politikani serb Aleksandar Arsenijeviq tha se qytetarët serb kanë frikë nga prania e policisë së Kosovës.

“Çfarë do të bëjmë pa qendrën për punë sociale, pa ndërmarrjen publike komunale, pa institucionet tjera me rëndësi jetike për serbët që ofrojnë mbrojtje dhe ndihmë për qytetarët që kanë nevojë”, tha Arsenijeviq.

Ai u bëri thirrje serbëve "të mos bien pre e provokimeve sepse këtë e kërkojnë autoritetet në Prishtinë".

Autoritetet e Kosovës para disa muajve mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele: në Prizren, Pejë, Suharekë, Istok, Klinë, Rahovec dhe Dragash. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR