• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ahmeti: Kurti të tregojë haptazi nëse do të marrë pjesë në zgjedhje, shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nuk u duhen shumë parti

Ahmeti: Kurti të tregojë haptazi nëse do të marrë pjesë në zgjedhje, shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nuk u duhen shumë parti

Shkup, 31 janar 2024 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në intervistë për televizionin e Kosovës RTK e komentoi takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me liderët e partive opozitare shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Tha se Kurti duhet të tregojë haptazi nëse partia e tij Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoni, por konsideron se shqiptarëve në vend nuk u duhen shumë parti.

"Nuk ka asgjë të keqe në takimet, por ajo që e tha Mexhiti nuk përputhet me deklaratën e Kurtit që e dha në Shkup, në të cilën tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji të kamuflohen gjërat, nuk është mirë, t'i themi gjërat hapur dhe nuk na pengon asgjë", tha Ahmeti.

I pyetur nëse përfshirja e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut do të ndikojë në rezultatet zgjedhore, Ahmeti konsideron se nuk do të ketë ndikim sepse, siç tha, "elektorati shqiptar është mjaft i definuar në Maqedoni".

"Për momentin, nëse i referohemi studimeve dhe analizave, BDI është fituese në këto zgjedhje që para se të mbahen, e këtë e dinë edhe partitë maqedonase edhe ato shqiptare, por edhe opozita maqedonase dhe ajo shqiptare. Asnjëherë nuk kam qenë i zhgënjyer nga parashikimet dhe studimet e ekspertëve dhe ekspertiza e vërtetë. Por koha do ta dëshmojë atë", thekson Ahmeti.

Lideri i BDI-së pohon se nuk është në armiqësi me asnjë parti politike as në Kosovë, as në Shqipëri, e as në Maqedoni, por konsideron se shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nuk u duhen shumë parti.

"Shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nuk u duhen 3, 4, 5, 6 apo 7 parti sepse sa më shumë parti të ketë, atëherë shqiptarët do të jenë më pak të rëndësishëm", nënvizoi Ahmeti.

Në vërejtjen se funksioni momental i Talat Xhaferit njihet si kryeministër teknik, lideri i BDI-së tha se në dokumentet zyrtare nuk ekziston formulimi kryeministër teknik, ndërkaq prapashtesa "teknik" përdoret për t'u zbutur qëndrimi i opinionit maqedonas, duke pasur parasysh atë që në të kaluarën ka pasur shumë reagime për përparimin e shqiptarëve.

Ahmeti shprehi keqardhje që, siç theksoi, në këtë akt historik për zgjedhjen e Xhaferit në krye të Qeverisë nuk morën pjesë partitë opozitare të shqiptarëve në vend. ab/

Foto: МIА arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR