• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Agjenda reformuese dhe Plani për rritje i BP, tema kryesore në takimet e Murtezanit me Superti dhe Bretel

Agjenda reformuese dhe Plani për rritje i BP, tema kryesore në takimet e Murtezanit me Superti dhe Bretel

Bruksel, 4 shtator 2024 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, Në kuadër të ditës së parë të vizitës së tij dyditore në Bruksel mbajti takime të ndara me Valentina Supertin, Drejtoreshë në Drejtorinë e Përgjithshme për politikë fqinjësore dhe negociatat për zgjerim (DG NEAR), dhe Sigrid Bretel, Udhëheqëse në njësinë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pranë DG NEAR.

 Theksi i bisedës u vendos në progresin  dhe hapat e ardhshëm në kornizat e Agjendës Reformuese 2024 – 2027 dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet hap të rëndësishëm drejt transformimit ekonomik të rajonit.

Gjithashtu u diskutua edhe për përgatitjet për nënshkrimin e Marrëveshjes për instrumentin për reforma dhe rritje si dhe Marrëveshjen për kredi, që do ti vendosin bazat juridike për realizimin e projekteve konkrete të Planit të Rritjes.

"Rëndësi të veçantë ishin diskutimet për strategjitë e komunikimit, të cilat kanë për qëllim të informojnë publikun dhe komunitetin e biznesit për përfitimet që sjell ky plan, si pjesë e proceseve më të gjera euro-integruese. Ministri Murtezani shprehu gatishmërinë për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në përcaktimin e sferave të reja prioritare për bashkëpunim, me qëllim që të përforcohet siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik", informon MÇE.

Krahas kësaj, u shkëmbyen informacione lidhur me statusin e përgatitjeve të Raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si pjesë e  pakos për zgjerim të BE-së.

"Takimet gjithashtu përfshinë edhe situatën aktuale të skrining raporteve, të cilat paraqesin tregues të rëndësishëm të shkallës së harmonizimit të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane. Në këtë kontekst, u diskutua edhe progresi i realizimit të udhërrëfyesve dhe planeve të veprimit, si parakusht i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat evropiane", shtohet në kumtesën e SÇE-së.

Murtezani sot në mëngjes ka zhvilluar një takim edhe me Komisarin Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhei, ndërsa në fund të vizitës në Bruksel do të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Stefano Sanino, Drejtorin e Përgjithshëm të DG NEAR, Gert Jan Kopman, përfaqësuesin e përhershëm të Hungarisë në BE, ambasadorin Balint Odor, vendi i të cilit është kryesues aktual i Unionit, si dhe me eurodeputetin Ilhan Quçuk, i cili në përbërjen e mëparshme të Parlamenti Evropian ishte raportuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme (AFET) për vendin. sa/

Foto: MÇE

QËNDRONI TË LIDHUR