• e premte, 05 korrik 2024

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit

Shkup, 28 maj 2024 (MIA) – Me 76 vota pro dhe gjashtë kundër, Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit. Me zgjedhjen e tij dhe betimin solemn përfundoi seanca konstituive e Kuvendit. Për postin e ri, Gashi u propozua me nënshkrimet e 75 deputetëve nga VMRO-DPMNE, Koalicioni “Vlen” dhe Lëvizja "Di" – “Për Maqedoninë Tonë”. 

 

Më herët, Izet Mexhiti i koalicionit “Vlen” tha se Afrim Gashi është kandidat që ka përvojë të gjerë në Kuvend dhe se i plotëson të gjitha kushtet për të qenë kryetar i ri i Kuvendit.

"Për tetë vjet ose tre mandate ka qenë deputet. Bëhet fjalë për politikan që nuk përmendet në rastet e korrupsionit dhe kjo është arsyeja pse është një nder që Kuvendi të drejtohet nga një politikan i tillë", tha Mexhiti. 

Amar Mecinoviq nga e Majta, nga ana tjetër, tha se ishte Gashi ai që shpëtoi Qeverinë e fundit nga përmbysja dhe tani e kurorëzon atë me post të ri, e në 100 ditët e fundit do të jetë edhe kryeministër. 

"Ky nuk është shembulli i vetëm i të gjitha recidivieve nga Qeveria paraprake, VMRO-DPMNE do t'i mbledhë në mënyrë që të sundojë", tha Mecinoviqi, duke shtuar se kudo në vendet përreth Parlamentin e drejtojnë kuadro të partive dominuese me më së shumti mandate. 

 

Ai theksoi se VMRO-DPMNE me 58 deputetë lejon që një parti me dy deputetë të drejtojë Kuvendin.

Anëtari i partisë së tij Borislav Kërmov tha se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit do të miratohen në mënyrë të përshpejtuar dhe se debati do të jetë i kufizuar. 

"Është për të ardhur keq që vetëm 6 deputetë të së Majtës kanë kërkuar fjalën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Gashi nuk ka përvojë si Kryetar i Komisionit dhe nuk ka folur pothuajse një herë, dhe tani ai do të udhëheqë Kuvendin. Me faktin që këtë vend e jep VMRO-DPMNE-ja me 58 deputetë, në fakt hyjmë në binacionalitetin. Kualifikimi i tij kryesor është vetëm se ai është shqiptar", tha Kërmovi. 

Ai tha se VMRO-DPMNE tani po bën të njëjtën gjë që LSDM-ja e kishte bërë më parë. 

"Në vend që LSDM t'i shërbejë BDI, tani VMRO-DPMNE-ja do t'i shërbejë "Vlen"-it", tha Kërmovi. 

Në replikë, Petar Risteski nga VMRO-DPMNE-ja tha se te e Majta nuk ka patriotizëm dhe se si pjesëmarrës në revolucionin shumëngjyrësh ata ishin drejtpërdrejt përgjegjës për ndryshimin e Kushtetutës dhe emrit kushtetues të vendit. 

Jovana Mojsoskës nga e Majta iu fik mikrofoni sepse në vend të VMRO-DPMNE-së, ajo tha emrin e partisë si VMRO-Vrhoviste. Ajo theksoi se me 61 deputetë, VMRO-DPMNE-ja ia jep postin e dytë më të rëndësishëm në shtet koalicionit "Vlen" që përfaqëson Platformën e Prishtinës. 

"Për ne nuk është problem që Afrim Gashi është shqiptar, por që urren atributet e shtetit dhe që është neoballist. Ai mbron shkatërrimin e institucioneve të shtetit dhe në çdo shtet normal ai do të ishte shpallur element antishtetëror, e jo person i dytë në shtet", tha Mojsoska. 

Rexhep Ismail nga E Majta theksoi se ata janë në Kuvend për të mbrojtur idealet e KAÇKM-së dhe shtoi se nga gjashtë deputetë, madje dy nuk janë me kombësi maqedonase, por angazhohen për këtë dhe për parandalimin e tradhtive kombëtare. 

 

Dimitar Apasiev gjithashtu nga E Majta tha se seanca e sotme e Kuvendit është hyrje në kosovizimin e Kuvendit të Maqedonisë dhe bullgarizimin e vendit.

"Nuk kemi problem me Afrim Gashin si shqiptar, kemi problem me atë që është neoballist dhe maqedonofob... Po bëni kosovizim politik të Maqedonisë dhe nuk do të ketë Parlament që drejtohet në gjuhën maqedonase... Kjo është një provë e përgjithshme për bullgarët në Kushtetutë", tha Apasievi 

Akuzoi VMRO-DPMNE-në për pjesëmarrje të heshtur në gjithçka që bëri qeveria e mëparshme 

Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE tha në përgjigje se i vjen keq që qytetarët duhej të jeni dëshmitarë të sjelljes në të cilën, siç tha ai, disa njerëz kanë tentuar të bënin një realiti shou. 

 

"U kërkoj falje edhe atyre që votuan për këta pak deputetë dhe mendoj se ata presin që unë të sillem në stilin e tyre agresiv. Maqedonia pret vite reformash, zhvillimi, sundim të së drejtës, luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe për fat të keq, herë pas here do të jeni dëshmitarë të ekspozuesve të tillë që, në mungesë të një ideje tjetër, do të fyejnë, nënçmojnë dhe poshtërojnë", tha Mickoski.

Ai theksoi se E Majta humbi shansin për sjellje të mirë kur refuzoi thirrjen për pajtim kombëtar para zgjedhjeve parlamentare dhe kur në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale vendosën të bojkotojnë zgjedhjen e Gordana Siljanovska Davkovës për Presidente të vendit. 

Ai bëri të ditur se në gjysmë milioni vota që morën në zgjedhje, kishte vota nga të gjithë qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike në vend 

 Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR