• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zurabishvili apelon për reforma radikale në Gjeorgji

Zurabishvili apelon për reforma radikale në Gjeorgji

Tbilisi, 27 maj 2024 (MIA) – Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili dje bëri thirrje për reforma radikale në prag të zgjedhjeve kyçe parlamentare të cilat mbahen në kushte të krizës politike për ligjin kontrovers të “ndikimit të huaj” që ajo vuri veton.

"Gjeorgjia duhet të krijojë një realitet të ri politik", deklaroi Zurabishvili në fjalimin me rastin e Ditës së pavarësisë së Gjeorgjisë dhe u bëri thirrje të gjitha partive politike pro-evropiane t'i bashkohen nismës së saj dhe të formojnë një front të bashkuar opozitar para zgjedhjeve parlamentare në tetor.

Zurabishvili kritikoi edhe disa ligje të miratuara nga partia qeveritare "Ëndrra gjeorgjiane" të cilat janë të dëmshme për kursin evropian të Gjeorgjisë.

"Duhet të jemi në gjendje të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Zurabishvili.

Disa parti opozitare mbështetën nismën e presidentes Zurabishvili që përballet me Ëndrrën gjeorgjiane, parti e cila akuzohet se pengon anëtarësimin e Gjeorgjisë në BE dhe e kthen Tbilisin në orbitën e Rusisë.

Partia në pushtet Ëndrra gjeorgjiane e cila është në pushtet që nga viti 2012 ka një shumicë të madhe në Parlament dhe pritet që javën e ardhshme ta anashkalojë veton e presidentes ndaj ligjit për "agjent të huaj".

Që nga dhjetori 2023, Gjeorgjia është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE. Edhe pse Ëndrra gjeorgjiane mbështet zyrtarisht qëllimin kushtetues që vendi të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s, vitet e fundit ndërmori disa masa për ta afruar vendin me Moskën.

Ligji për agjentët e huaj parasheh që mediat dhe organizatat joqeveritare që financohen më shumë se 20 për qind nga jashtë të regjistrohen si "agjente të ndikimit të huaj". Sipas kritikëve ligji është shumë i ngjashëm me legjislacionin e përdorur nga Kremlini për të heshtur kundërshtarët dhe se do të pengojë kandidaturën e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.  

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR