• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zgjedhjet në komunat në të cilat serbët e Kosovës dhanë dorëheqje janë caktuar më 18 dhjetor

Zgjedhjet në komunat në të cilat serbët e Kosovës dhanë dorëheqje janë caktuar më 18 dhjetor
Prishtinë, 15 nëntor 2022 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmë njoftoi se e ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës, në të cilat kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave dhanë dorëheqje në fillim të këtij muaji, informoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Pas mbledhjes me përfaqësues të disa partive të Kosovës, kryesisht nga pakicat etnike, kabineti i Osmanit njoftoi se ka vendosur që zgjedhjet në komunat në Veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan të mbahen më 18 dhjetor. "Udhëzohet Komisioni Qendror Zgjedhor që t'i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan, sipas këtij vendimi dhe ligjeve të cilët janë në fuqi", thuhet në kumtesën e kabinetit të Osmanit. Ajo paralajmëroi edhe se do të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë që ta vëzhgojnë votimin më 18 dhjetor dhe të jenë sa më shumë që është e mundur të pranishëm në teren gjatë gjithë procesit zgjedhor. "Presidentja Osmani gjithashtu theksoi se institucionet e sigurisë do t'i ndërmarrin të gjitha masat me qëllim që qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese", thuhet në kumtesë. Serbët e Kosovës, me thirrje të partisë më të madhe të asaj bashkësie në Kosovë, Lista Serbe, e cila haptas mbështetet edhe nga Beogradi zyrtar, i lëshuan institucionet shtetërore dhe lokale, për shkak të paralajmërimit për dënimin e atyre personave që nuk do t'i ndryshojnë targat nga Serbia me targa me shenjat RKS - Republika e Kosovës. LS paralajmëroi "rezistencë të ashpër" nëse fillohet me shqiptimin e gjobave në të holla për ata që nuk do t'i ndryshojnë targat, siç thuhet në vendimin e Qeverisë së Albin Kurtit, ndërsa kthimin në institucione e kushtëzuan edhe me formimin e asociacionit të komunave me popullsi shumicë serbe në Kosovë. fc/    

QËNDRONI TË LIDHUR