• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zgjedhjet Evropiane në Austri zyrtarisht caktohen më 9 qershor

Zgjedhjet Evropiane në Austri zyrtarisht caktohen më 9 qershor

Vjenë, 21 shkurt 2024 (MIA) - Mbajtja e zgjedhjeve evropiane në Austri zyrtarisht është caktuar më 9 qershor, transmetoi agjencia austriake APA.

Qeveria federale sot do ta finalizojë propozimin adekuat të ministrit të Punëve të Brendshme Gerhard Karner. Ministri para takimit të qeverisë theksoi se Austria këtë herë do të ketë 20 në vend të 19 mandateve të eurodeputetëve.

Të drejtë vote kanë shtetasit austriakë, si dhe shtetasit e shteteve të tjera anëtare të BE-së që kanë statusin e banorëve të përhershëm në vend. Qytetarët duhet të jenë  mbi 16 vjeç për të votuar. Sipas Karner, numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote është rreth 6.4 milionë. Prej tyre, 61,000 janë shtetas austriakë që jetojnë jashtë vendit, dhe nga 40,000 deri në 45,000 njerëz janë nga vende të tjera anëtare të BE-së. Megjithatë, numri përfundimtar i tyre do të bëhet i ditur 75 ditë para ditës së zgjedhjeve, pra më 26 mars.

Në këtë datë caktohen afate të ndryshme, si regjistrimi në listën zgjedhore apo mbledhja e deklaratave për mbështetje të partive që duan të kandidojnë dhe nuk janë në Parlamentin Evropian apo Këshillin Kombëtar. Nga kjo datë, vlen edhe kufiri i shpenzimeve të fushatës.

Pas vendimit të qeverisë federale, dekreti duhet të miratohet nga komiteti kryesor i Këshillit Kombëtar. Më vonë, dekreti  publikohet në Gazetën Zyrtare Federale Shtetërore dhe hyn në fuqi.

Edhe në Austri ka spekulime se zgjedhjet evropiane mund të kombinohen me zgjedhjet për parlamentin kombëtar. Sipas Karner, megjithatë, zgjedhjet për Këshillin Kombëtar janë planifikuar për në vjeshtë. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR