• e martë, 24 dhjetor 2024

Zelenski: Ukrainës i nevojiten sisteme "Patriot" për mbrojtjen e Harkovit

Zelenski: Ukrainës i nevojiten sisteme

Kiev, 16 maj 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot nga Harkovi deklaroi se janë të nevojshme disa sisteme mbrojtëse "Patriot" për të mbrojtur këtë qytet nga sulmet ruse.

"Situata është shumë serioze. Ne nuk mund të përballojmë të humbasim Harkovin... Gjithçka që na duhen janë dy sisteme Patriot. Rusia nuk do të jetë në gjendje të pushtojë Harkovin nëse i kemi", tha Zelenski në një intervistë për kanalin televiziv Ej-Bi-Si Njuz, gjatë një vizite në një nga spitalet në Harkov.

Sipas tij, gjatë ditëve të fundit, qindra njerëz janë vrarë ose janë plagosur në ofensivën e forcave ruse në zonën e Harkovit.

"Shumë prej tyre ishin ushtarë nga rajoni dhe për këtë ishte e rëndësishme që presidenti të ishte atje dhe t'i mbështeste", shtoi Zelenski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse SHBA-ja është fajtore për atë që po ndodh në Harkov, Zelenski u përgjigj: "E gjithë bota është fajtore. Ata i dhanë Putinit mundësinë për të okupuar territorin ukrainas. Por tani bota mund të ndihmojë", tha lideri ukrainas.

"Këto para nuk transferohen në Ukrainë. Këto janë paratë e shpenzuara në fabrikat amerikane për të krijuar vende pune amerikane... Dhe ne nuk po luftojmë vetëm për lirinë tonë. Nëse nuk do të ishte Ukraina, do të ishte një vend tjetër", deklaroi presidenti.

Zelenski sot në Harkov mbajti takim të shtabit të komandantit suprem dhe vizitoi mbrojtësit e plagosur në spital. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR