Zelenski: Rusia shkeli armëpushimin energjetik dhe nisi një sulm masiv
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot deklaroi se Rusia ka shkelur armëpushimin energjetik dhe injoroi kërkesën e SbBA-së për t'u përmbajtur nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe kritike, duke theksuar se Rusia i shfrytëzoi ditët e mëparshme, në të cilat nuk kreu sulme ndaj infrastrukturës energjetike, për të grumbulluar forca për sulmin e mbrëmshëm.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:20, 3 shkurt, 2026
Kiev, 3 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot deklaroi se Rusia ka shkelur armëpushimin energjetik dhe injoroi kërkesën e SbBA-së për t'u përmbajtur nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe kritike, duke theksuar se Rusia i shfrytëzoi ditët e mëparshme, në të cilat nuk kreu sulme ndaj infrastrukturës energjetike, për të grumbulluar forca për sulmin e mbrëmshëm.
"Rusët i kanë injoruar përsëri përpjekjet e palës amerikane. Pati një kërkesë nga presidenti amerikan, Donald Tramp, për t’u përmbajtur nga sulmet ndaj energjisë dhe infrastrukturës kritike. Gjatë takimit të ekipeve tona negociuese, presidenti amerikan theksoi gjithashtu nevojën për një ndërprerje shtatëditore të sulmeve. Ky vendim ishte shumë i rëndësishëm. Praktikisht, ajo armëpushim energjetik filloi natën midis të enjtes dhe të premtes, dhe natën tjetër, rusët, sipas mendimit tonë, e shkelën premtimin e tyre", tha Zelenski, raporton Ukrinform.
Ai deklaroi se marrëveshja përfshinte një ndërprerje shtatëditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, por se Rusia nuk e kishte respektuar atë marrëveshje.
"Ose Rusia tani konsideron se java nuk është shtatë ditë e gjatë, por më pak, ose thjesht po mbështetet në vazhdimin e luftës dhe në pritje të ditëve më të ftohta të këtij dimri, kur temperatura në pjesën më të madhe të Ukrainës është nën minus 20 gradë. Sot patëm një sulm rekord rus, një goditje të rëndë, veçanërisht me përdorimin e raketave balistike", tha Zelenski.
Ai shtoi se armëpushimi energjetik nuk ishte "dhuratë" për Ukrainën, duke deklaruar se sulmi u krye me një numër më të madh raketash dhe dronësh sesa ishte planifikuar në atë kohë.
Zelenski tha se me këtë rast do të kontaktojë me palën amerikane dhe shprehu pritjen e tij që partnerët ndërkombëtarë nuk do të heshtin.
"Shpresoj në faktin se partnerët nuk do të heshtin për atë që po ndodh. Është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim mbrojtjen e vendit tonë dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë", tha presidenti ukrainas.
Siç është raportuar paraprakisht nga Ukrinform, natën e 2 dhe 3 shkurtit, armata ruse kreu sulme me raketa balistike dhe lundrimi, si dhe dronë, në tetë rajone të Ukrainës, dhe midis objektivave ishin objektet energjetike.
Foto: Arkivi i MIA-s