• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zelenski nënshkroi marrëveshje sigurie me Suedinë: Vetëm së bashku mund të ndalojmë çmendurinë nga Moska

Zelenski nënshkroi marrëveshje sigurie me Suedinë: Vetëm së bashku mund të ndalojmë çmendurinë nga Moska

 Stokholm, 31 maj 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nënshkroi sot marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Suedinë, një nga tre të planifikuara me vendet nordike, pasi kërkon mbështetje shtesë ushtarake nga Perëndimi në luftën kundër Rusisë.

Njoftimi vjen derisa vendet perëndimore debatojnë nëse do të lejojnë Ukrainën të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektivat ushtarakë në Rusi. 

 "Nund të shihni se Rusia po përpiqet të zgjerojë luftën... Vetëm së bashku mund ta ndalojmë çmendurinë nga Moska", tha Zelenski në nënshkrimin e marrëveshjes, marrëveshje e 13-të e tillë që Kievi ka nënshkruar me një vend perëndimor.

 Ai shtoi se do të nënshkruajë marrëveshje të tilla dypalëshe edhe me Norvegjinë dhe Islandën.

 Mbrojtja ajrore, prodhimi i municionit dhe prodhimi i përbashkët i armëve janë në krye të agjendës në samitin e sotëm mes Zelenskit dhe kryeministrave të Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës dhe presidentit të Finlandës.

Të gjitha vendet nordike janë anëtarë të NATO-s, të cilat fuqishëm mbështesin Ukrainën. 

 "Vlen që të përsëritet vazhdimisht, ju fjalë për fjalë nuk po luftoni vetëm për lirinë tuaj, por edhe për lirinë tonë dhe sigurinë tonë", tha kryeministri suedez Ulf Kristerson.

 "Kjo është arsyeja pse mbështetja për Ukrainën është kaq fundamentale, detyrë ekzistenciale për Suedinë dhe të gjitha vendet e tjera nordike", shtoi ai.

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR