• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zelenski nënshkroi Ligjin e ri për Mobilizim

Zelenski nënshkroi Ligjin e ri për Mobilizim

Kiev, 16 prill 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nënshkroi sot ligjin e ri që ndryshon rregullat për mobilizim, raportojnë mediat britanike, duke iu referuar faqes së internetit të parlamentit. 

Rregullorja do të hyjë në fuqi një muaj pas shpalljes në gazetën zyrtare dhe i detyron të gjithë burrat të përditësojnë të dhënat që u japin autoriteteve, ndihmon në financimin e vullnetarëve dhe shton penalitete të reja për shmangien e shërbimit ushtarak.

Ligji parashikon që të gjithë burrat në Ukrainë, nga mosha 25 deri në 60 vjeç, mund të mobilizohen, raportoi agjencia Ukrinform.

Gjatë mobilizimit, të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri në 60 vjeç duhet të kenë gjithmonë një dokument regjistrimi ushtarak, të cilin mund t'ia japin policisë, zyrtarëve të Qendrës së Rekrutimit dhe rojeve kufitare sipas kërkesës së tyre.

Pasi të publikohet ligji, të gjithë rekrutët e rinj duhet të përditësojnë adresën e tyre të përhershme, detajet e kontaktit dhe detaje të tjera të lidhura me ushtrinë. Kjo mund të ndodhë në Qendrat e Rekrutimit Ushtarak, Qendrat e Shërbimit Administrativ ose me dorëzim onlajn.

Ligji i ri përcakton qartë kategoritë e meshkujve në moshë të detyrueshme që përjashtohen nga shërbimi ushtarak, përfshirë për arsye të caktuara shëndetësore dhe familjare.

Ligji përmban dispozita që synojnë motivimin, siç është e drejta e rekrutëve për të zgjedhur në mënyrë të pavarur degën e tyre të preferuar të ushtrisë.

Ligji parashikon gjithashtu leje shtesë me pagesë ose një shpërblim për shkatërrimin ose kapjen e pajisjeve ose teknikave ushtarake të armikut. Pushimi vjetor jepet pjesë-pjesë gjatë vitit kalendarik, ku pjesa kryesore caktohet në 15 ose më shumë ditë. Një muaj shërbim llogaritet si tre nëse individi vendoset drejtpërdrejt në zonat e luftimit ndërkohë që ligji ushtarak është në fuqi.

Ligji u miratua nga Rada Supreme më 11 prill dhe planet e qeverisë u mbështetën nga 283 deputetë. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR