Zelenski në Davos dërgoi kritika të ashpra për liderët evropian dhe bëri thirrje në forca të armatosura të bashkuara evropiane
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kritikoi liderët evropian, për siç tha, shtyrjen e veprimeve konkrete dhe bëri thirrje në formimin e "forcave të armatosura të bashkuara evropiane" të cilat "me të vërtetë mund ta mbrojnë Evropën sot".
- Post By Sara Ademi
- 17:30, 22 janar, 2026
Davos, 22 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kritikoi liderët evropian, për siç tha, shtyrjen e veprimeve konkrete dhe bëri thirrje në formimin e "forcave të armatosura të bashkuara evropiane" të cilat "me të vërtetë mund ta mbrojnë Evropën sot".
"Veprimi përcakton se ç'farë të ardhme do të kemi sot", tha Zelenski në fjalimin e tij të sotëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Zelenski pyeti konkretisht pse presidenti i SHBA-së Donald Tramp mund të ndalojë dhe të sekuestrojë një anije cisternë nga "flota sekrete" e Rusisë, ndërsa Evropa nuk mundet, duke treguar transportin e naftës ruse përgjatë brigjeve evropiane dhe pretendimin se kjo naftë po financon luftën kundër Ukrainës dhe po destabilizon Evropën.
"Kjo naftë ndihmon në destabilizimin e Evropës. Nëse Evropa ka para, atëherë mund të mbrojë njerëzit e saj. Tani për tani, ato anije cisterna po fitojnë para për Putinin, dhe kjo do të thotë që Rusia vazhdon të zbatojë agjendën e saj të sëmurë", tha Zelenski.
Udhëheqësi ukrainas bëri thirrje për forca të armatosura evropiane të unifikuara, duke theksuar se këto forca duhet të jenë në gjendje t'u përgjigjen kërcënimeve, siç është një sulm i mundshëm ndaj anëtarëve të NATO-s, dhe se askush nuk e sheh Aleancën "në veprim" kur është e nevojshme.
"Nëse Putini vendos të pushtojë Lituaninë ose të sulmojë Poloninë, kush do të jetë përgjegjës?” pyeti Zelenski.
Ai gjithashtu dënoi mungesën e përparimit në hetimet penale kundër Rusisë, duke akuzuar Evropën se "dëshiron të flasë për të ardhmen, por shmang ndërmarrjen e veprimeve sot".
Ai tha se pavarësisht takimeve të shumta, Evropa është ende larg krijimit të një gjykate funksionale për drejtësi dhe se shpesh tema të tjera bëhen më urgjente se drejtësia.
Zelenski tha gjithashtu se udhëheqësit evropianë janë joaktivë kur bëhet fjalë për luftën kundër Ukrainës dhe e krahasoi atë me sjelljen e tyre rreth Grenlandës në ditët e fundit.
Zelenski paralajmëroi për anijet luftarake ruse që "lundrojnë lirshëm rreth Grenlandës" dhe ofroi ekspertizë dhe armë "për të siguruar që asnjë nga këto anije të mos mbetet".
"Ata mund të fundosen pranë Grenlandës, ashtu siç u fundosën pranë Krimesë. Ne mund të marrim masa dhe e dimë se si zhvillohet lufta atje, nëse na pyesin, dhe nëse Ukraina ishte në NATO, por ne nuk jemi", tha Zelenski.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se, ndërsa mirëpret premtimet e Britanisë dhe Francës për të dërguar trupa në Ukrainën e pasluftës, veprimi përfundimtar varet përsëri nga pjesëmarrja e SHBA-së.
Ai bëri gjithashtu një kontrast me situatën në hemisferën perëndimore, duke vënë në dukje se udhëheqësi i rrëzuar i Venezuelës, Nikolas Maduro, është arrestuar dhe është në gjyq në Nju Jork, ndërsa Putini, katër vjet pas fillimit të luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, mbetet i lirë dhe ende përpiqet të mbrojë asetet e tij të ngrira në Evropë. sa/
foto: EPA