• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Zelenski kumtoi se kundërsulmet ruse në rajonin Kursk ishin të pasuksesshme

Zelenski kumtoi se kundërsulmet ruse në rajonin Kursk ishin të pasuksesshme

Kiev, 13 shtator 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski sot deklaroi se kundërsulmet ruse në rajonin  Kursk, pjesërisht i kontrolluar nga forcat e armatosura të Ukrainës pas pushtimit të madh të tyre muajin e kaluar, tani për tani nuk kanë shënuar "sukses serioz", publikuan mediat britanike.

Duke folur në konferencë bamirësie, Zelenski tha se situata rreth qytetit strategjik Pokrovsk në Ukrainën lindore, mbetet komplekse. Forcat ruse vazhdojnë të përparojnë gradualisht në rajon.

Në të njëjtën kohë, presidenti, i cituar nga mediat ukrainase, tha se derisa Ukraina është duke pritur për dorëzimin e sistemeve të premtuara të mbrojtjes ajrore Patriot nga partnerët e saj, Rusia vazhdon të sulmojë vendin. Ai shfaqi shpresë se aleatët e vendit do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina.

"Nëse dikush thjesht shikon hartën se ku sulmon Rusia, ku ushtron forcat e saj dhe ruan rezervat e saj, ku janë objektet e saj ushtarake dhe cilat janë rrugët logjistike që përdor, nëse i sheh të gjitha këto, me siguri do ta dijë se çfarë aftësi afatgjate i nevojiten Ukrainës", theksoi presidenti.

Zelenski tha se paradokohe ai ka biseduar për këtë çështje me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Entoni Blinken dhe ministrin e Punëve të Jashtme britanik, Dejvid Lami. Sipas presidentit, pas këtij takimi nuk mund të ketë më asnjë pyetje pse Ukraina ka nevojë për aftësi të majftueshme sulmuese me rreze të gjata veprimi.

"Dua të theksoj: e kam fjalën për mundësi të mjaftueshme, e jo vetëm të them se ka zgjidhje. Mjaft e aftësi për të ndryshuar rrjedhën e luftës dhe për ta detyruar Rusinë të dëshirojë paqe. Me të vërtetë shpresojmë në partnerët tanë, shpresojmë në rezultate prej tyre", shtoi shefi i shtetit.

Në të njëjtën kohë, Zelenski tha se "plani për fitore", të cilin ai dëshiron t'ia prezantojë kolegut të tij amerikan, Xho Bajden në fund të këtij muaji, do të "hapë rrugën" për arritjen e paqes së qëndrueshme pas luftës, e cila zgjat tani dy vite e gjysëm. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR