• e premte, 27 dhjetor 2024

Zelenski kërkoi konvokimin e Këshillit NATO - Ukrainë për shkak të marrëveshjes për drithëra, Stoltenberg takimin e caktoi për të mërkurën

Zelenski kërkoi konvokimin e Këshillit NATO - Ukrainë për shkak të marrëveshjes për drithëra, Stoltenberg takimin e caktoi për të mërkurën

Kiev, 23 korrik 2023 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski dje deklaroi se ka kërkuar nga shefi i NATO-s të konvokojë takim të Këshillit NATO - Ukrainë në të cilin do të bisedohet për sigurinë në Detin e Zi, veçanërisht për korridorin për eksportin e drithërave ukrainase.

Takimi, me kërkesë të Ukrainës, është caktuar për të mërkurën, konfirmuan nga kabineti i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

"Qëllimi është të konsultohemi për ndodhitë më të reja dhe të bisedojmë për transportin e drithrave ukrainase përmes Detit të Zi", deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku", transmeton DPA.

"Takimi duhet të mbahet në nivel ambasadorial", shtoi ajo.

Zelenski dhe Stoltenberg paraprakisht patën bisedë telefonike në të cilën e shqyrtuan situatën në Detin e Zi, pasi Rusia këtë javë u tërhoq nga Marrëveshja për drithrat nën patronatin e KB-së, duke kumtuar se vendet perëndimore i kanë injoruar kërkesat e tyre për të siguruar eksportin e ushqimit dhe plehrave nga Moska.

Rusia kumtoi se anijet që nisen drejt porteve ukrainase në Detin e Zi mund të konsiderohen caqe ushtarake legjitime.

Në fjalimin e tij të rregullt të natës për ukrainasit, Zelenski tha se i kishte kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në një telefonatë që të thërriste një takim të Këshillit që u formua në samitin e NATO-s të këtij muaji.

“Në bashkëpunimin tonë kaluam në një nivel të ri, më të avancuar, në Këshillin NATO-Ukrainë, dhe ai mekanizëm mund të jetë efektiv", tha Zelenski.

"I propozova Jensit që Këshilli të mblidhej për konsultime të rëndësishme për krizën pa vonesë. Takimi do të zhvillohet në ditët në vijim. Mund ta tejkalojmë krizën e sigurisë në Detin e Zi”, shtoi presidenti ukrainas.

Foto:Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR