Zelenski: Bisedova me Ostinin për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe sulmet thellë në territorin rus
- Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski deklaroi se sot në Kiev ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes të SHBA-së, Llojd Ostin për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe sulmet thellë në territorin rus.
- Post By Fami Bajrami
- 18:28, 21 tetor, 2024
Kiev, 21 tetor 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski deklaroi se sot në Kiev ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes të SHBA-së, Llojd Ostin për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe sulmet thellë në territorin rus.
Zelenski në platformën Iks, shkroi se me Ostinin diskutoi edhe për përpjekjet për të rritur prodhimin e dronëve ushtarakë, raketave, predhave artilerike dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore. Presidenti ukrainas theksoi se Ostin ka ndarë me të planet për të thirrur një takim të aleatëve kryesorë të Ukrainës në Ramshtajn në Gjermani, pasi një takim i tillë i planifikuar për tetor është shtyrë pasi presidenti amerikan Xhozef Bajden anuloi pjesëmarrjen e tij.
Ostin sot gjatë vizitës së tij në Kiev deklaroi se SHBA-ja do të dërgojë një paketë të re ndihme ushtarake në Ukrainë në vlerë prej 400 milionë dollarë (368 milionë euro).
Ai në bisedë me Zelenskin ka theksuar se pakoja përfshin municion shtesë, automjete të blinduara dhe armë antitank.
Ministri amerikan i Mbrojtjes arriti për vizitë pune në Ukrainë pas serisë së takimeve që presidenti amerikan Xhozef Bajden ralizoi në Berlin me partnerët kryesorë evropianë, deklaroi sot shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Serhi Leshçenko.
"Më herët, për arsye sigurie askush nuk paralajmëroi se kush do të vinte në Kiev përderisa mysafiri u largua nga Ukraina, por tani ka një praktikë të re, pasi situata po ndryshon për mirë", deklaroi Leshçenko.
Ai tha se vizita e Ostinit me shumë gjasa do të jetë vizita e fundit e një anëtari të qeverisë amerikane në Ukrainë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Sipas tij, pas takimeve në Berlin të presidentit amerikan Bajden me kancelarin gjerman Olaf Sholc, presidentin francez Emanuel Makron dhe kryeministrin britanik Kir Starmer, ka nevojë për "harmonizim të pozicioneve". rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s