Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Qipros për MIA: Nuk guxon të ketë panik, jemi në gjendje gatishmërie, qytetarët duhet të jenë të qetë
- "Po ndërmerren të gjitha masat, jemi në gjendje gatishmërie, por ajo që është e rëndësishme dhe që ua themi njerëzve është të jenë të qetë, të përgatitur dhe të shmangur nga paniku", thotë në një bisedë me korrespondenten e MIA-s zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile të Qipros, Panajotis Liasidis.
- Post By Qefsere Abduli
- 17:18, 6 mars, 2026
Nikozia, 6 mars 2026 (MIA)
Sanja RISTOVSKA – Qipro
"Po ndërmerren të gjitha masat, jemi në gjendje gatishmërie, por ajo që është e rëndësishme dhe që ua themi njerëzve është të jenë të qetë, të përgatitur dhe të shmangur nga paniku", thotë në një bisedë me korrespondenten e MIA-s zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile të Qipros, Panajotis Liasidis.
Pas sulmit me dron ndaj bazave ushtarake britanike pranë Limassolit, tashmë për të pestën ditë janë aktivizuar të gjitha organet kompetente, ndërsa rolin kryesor e ka pikërisht mbrojtja civile që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qipros.

Një pjesë e aktiviteteve të ndërmarra gjatë ditëve të fundit janë informimi për lokacionet e strehimoreve në të gjithë territorin përmes një aplikacioni të posaçëm, informimi për gjërat e domosdoshme që qytetarët duhet t’i kenë me vete në rast rreziku, gjë që vlen për çdo lloj rreziku dhe jo vetëm për situatën aktuale, dërgimi i mesazheve testuese SMS si një kanal shtesë për informim në kohë dhe të ngjashme.
Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Qipros për MIA flet për të gjitha këto aspekte, duke vënë theksin te parandalimi, qetësia dhe përgatitja në kohë.
"Siç nënkuptohet, po ndërmerren të gjitha masat, në këtë moment jemi në gjendje gatishmërie dhe vigjilence, ekzistojnë plane për menaxhimin e rasteve të tilla. Ajo që gjithmonë duhet ta themi është qetësimi. Njerëzit duhet të jenë të përgatitur, parandalimi është shumë i rëndësishëm, të jemi të përgatitur për disa gjëra, të dimë çfarë duhet të bëjmë dhe natyrisht të shmanget paniku", thotë Liasidis për situatën aktuale në vend dhe sa është e përgatitur Republika e Qipros për skenarin më të keq të mundshëm.

Aplikacion i posaçëm për lokalizimin e strehimores më të afërt
Drejtoresha e mbrojtjes civile Maria Papa dhe ministri i punëve të brendshme Konstantinos Joanu të hënën njoftuan se Qiproja disponon me rreth 2.500 strehimore që mbulojnë 40–45 për qind të popullsisë, ndërsa për lokalizimin e tyre tashmë ekziston edhe një aplikacion i posaçëm për telefonat mobil, “SafeCY”.

Aplikacioni është i thjeshtë për përdorim; sapo hapet, ai menjëherë lokalizon përdoruesin dhe në hartë i tregon strehimoret që ndodhen në afërsi të drejtpërdrejtë.
Për secilën strehimore ofron edhe informacione shtesë për kapacitetin, adresën e saktë dhe llojin e hapësirës.
Më së shpeshti bëhet fjalë për parkingje nëntokësore në objekte private ose publike.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Qipros shpjegoi se është duke u punuar për rritjen e numrit të strehimoreve në vend, veçanërisht përmes mundësisë së një koeficienti shtesë ndërtimi që do të sigurojë hapësira të reja nëntokësore për strehimore nga persona privatë.
"Gjithsejt janë rreth 2.500 strehimore, po bëhen shumë përpjekje për të gjetur hapësira të reja, si për shembull nën dyqane të mëdha për ta pasuruar këtë listë. Dje ministri i punëve të brendshme, Konstantinos Joanu, njoftoi se do të japë udhëzime për lehtësime urbanistike me koeficient shtesë ndërtimi për shtëpi dhe ndërtesa, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të ndërtojnë strehimore në hapësirat e tyre pa e humbur koeficientin e ndërtimit që kanë, gjë që mendoj se është një veprim shumë i mirë dhe do të ndihmojë që të kemi më shumë strehimore", shpjegoi Liasidis për MIA.

Qeveria e Qipros të mërkurën testoi dërgimin e mesazheve SMS për banorët, me qëllim që edhe kjo mënyrë të përdoret për informimin e qytetarëve në rast se është e nevojshme, ndërsa nëse banorët marrin një mesazh të vërtetë paralajmërues dhe jo testues, do të duhet të ndërmarrin udhëzimet konkrete.
Nëse në ndërtesën e tyre ose në ndërtesën fqinje apo në vendin ku ndodhen qytetarët ka bodrum, ata duhet menjëherë dhe me qetësi të drejtohen drejt tij në këmbë; nëse ndodhen në një hapësirë të mbyllur pa bodrum, duhet të qëndrojnë brenda objektit, larg dyerve, objekteve të qelqit dhe dritareve; nëse ndodhen në hapësirë të hapur, duhet të shkojnë në objektin më të afërt të mbyllur, ndërsa në objekte si shkolla, spitale dhe salla sportive zbatohet protokolli i paraparë nga personeli përgjegjës. Qytetarët gjithashtu thirren të shmangin lëvizjen me automjet drejt këtyre lokacioneve.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Qipros për MIA shpjegoi se sistemi me mesazhe SMS që u testua është një masë e përkohshme për të mbuluar periudhën deri në qershor, kur do të vendoset sistemi i paralajmërimit të hershëm, përkatësisht dërgimi i mesazheve përmes numrit të emergjencës 112.
"Këtë që kishim pardje është një sistem me mesazhe SMS; nga qershori do ta kemi atë sistem pë paralajmërim të hershëm që ekziston në Greqi dhe në vende të tjera evropiane, që është një teknologji krejtësisht tjetër", shpjegoi Liasidis.
Çanta e emergjencës është për çdo lloj rreziku, të mos lidhet me situatën aktuale
Ujë, bilbil, mjete për higjienë personale, llambë baterie, rroba të ngrohta, ushqim afatgjatë, para, kuti për ndihmën e parë, bateri dhe powerbank, radio me bateri, ilaçe, para në kesh dhe maskë duhet të përmbajë çanta e lehtë dhe ujërezistuese për emergjenca, të cilën çdo qytetar duhet ta posedojë në rast rreziku, siç njoftoi të hënën mbrojtja civile e Qipros.

Megjithatë, zëdhënësi për MIA shpjegon se kjo çantë, për të cilën është komentuar shumë në publik dhe në media, nuk është diçka e re dhe nuk është diçka e shpallur posaçërisht për situatën aktuale.
"Ne e kemi prej vitesh në udhëzimet tona. Është një masë parandaluese dhe ndihmon që të kemi disa gjëra të rëndësishme me vete për një gjendje të jashtëzakonshme nëse ndodh diçka. Kjo nuk do të thotë se kjo çantë është posaçërisht për tani, por është për çdo lloj rreziku, ta kemi këtë çantë dhe ta marrim me vete kur shkojmë diku përkohësisht. Është njësoj si kur shkojmë në ekskursion dhe përgatisim disa gjëra në çantën tonë. Edhe kjo është diçka e ngjashme. Njerëzit nuk duhet ta lidhin me situatën aktuale. Kjo është diçka që ekziston prej kohësh. Nëse ju kujtohet, vitin e kaluar edhe komisionerja evropiane Lahbib publikoi një video të shkurtër dhe iu referua kësaj çante. Kështuqë nuk është diçka e re", theksoi Liasidis.

Në objekte të përkohshme për strehim, 250 banorë të fshatit Akrotiri janë vendosur pranë bazave ushtarake britanike
Pas sulmit me dron ndaj bazave britanike, fshati i vogël Akrotiri menjëherë u evakuua në pjesën jugore të Qipros, ku ndodhen bazat ushtarake, ndërsa banorët tashmë për të pestën ditë ndodhen në strehim të përkohshëm ose tek të afërmit e tyre.
"Në këtë moment ne kemi ofruar strehim dhe qëndrim të përkohshëm për rreth 250 persona. Disa nga banorët janë tek të afërmit e tyre, ndërsa situata do të rivlerësohet nesër dhe do të merren vendime nëse do të vazhdojë gjendja aktuale dhe nëse banorët do të qëndrojnë më shumë ditë jashtë shtëpive të tyre. Shteti është pranë qytetarëve, u ndihmon sa mundet, deri sa të kthehen në shtëpitë e tyre", tha për MIA zëdhënësi i mbrojtjes civile të Qipros.

Gjatë ditës së djeshme, për më pak se 24 orë, sirenat në zonën përreth Akrotirit u aktivizuan tri herë, megjithatë nuk u konstatua asnjë kërcënim.
Foto: MIA