• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaçka: Të ndalet thellimi i hendekut të qëndrimeve të Kosovës me SHBA e BE

Xhaçka: Të ndalet thellimi i hendekut të qëndrimeve të Kosovës me SHBA e BE

Tiranë, 15 qershor 2023 (MIA) - Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se është e domosdoshme që situata në Kosovë të shtensionohet.

"Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve dhe sigurisht jemi të angazhuar më të gjithë fuqitë dhe mundësitë tona, me aleatët dhe partnerët, me SHBA, NATO, BE, që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi po ashtu të shqetësuar, por edhe të keq ardhur, që gjendemi në këtë situatë kaq delikate, në një moment kur realisht besonim se kishte një mundësi shumë të mirë, kishte një rast të artë, do të thosha, për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një zgjidhjeje përfundimtare dhe drejt një njohjeje reciproke", u shpreh Xhaçka në Kuvend.

Ky është një shqetësim, theksoi ajo, që në fakt nuk e kemi vetëm ne, por e kanë të gjithë aleatët dhe partnerët nga i pari, tek i fundit.

"Dhe ky kontekst ndërkombëtar ndihmon shumë për të kuptuar më mirë qëndrimin e Shqipërisë. Por në rastin tonë, shqetësimi bëhet vërtet i madh kur konsideron që aleatët dhe partnerët në mënyrë unanime e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për këtë që po ndodh tek Kosova, çka ka krijuar mjaft tension dhe çka rrezikon të sjellë pasoja që deri dje as që mund të imagjinoheshin, duke e çuar Kosovën drejt izolimit dhe duke dobësuar në mënyrë shqetësuese pozitat e saj në sytë e SHBA dhe BE", u shpreh Xhaçka.

Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit.

Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për këtë ngjarje. Kam komunikuar edhe me komandantin e KFOR duke kërkuar vlerësimin e tij për çfarë ka ndodhur, vuri në dukje ajo.

Ajo theksoi se e presin përfundimin e hetimit apo të raportimit që do t’i bëjë KFOR NATO-s, por ajo që mund të them në këtë pikë, është që është e domosdoshme që të ruhet qetësia.

"Dhe është po ashtu e domosdoshme që qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Lirimi i tyre do të ishte një kontribut i madh drejt uljes së tensioneve ndërkohë që i lëmë kohë KFOR-it, që ka përgjegjësi për ruajtjen e kufirit të Kosovës në veri, që të zbardhë gjithë çfarë ka ndodhur. Ne kemi bërë dhe po bëjmë përpjekjet tona aktive që lirimi i tre policëve të kufirit të ndodhë por ndërkohë jemi të qëndrimit që ata nuk kanë bërë absolutisht asnjë vepër penale apo nuk e kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë. Në të tilla raste, edhe të kalimit të kufirit dhe të hyrjes në një zonë e cila do të konsiderohej e Serbisë, nëse e tillë ka qenë ngjarja, sigurisht që nuk parashikon arrest, por do të parashikonte një kthim pas dhe ky është qëndrimi ynë", tha Xhaçka.

Sipas saj i kemi ndjekur po ashtu me shqetësim edhe deklaratat e qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe.

"Theksojmë se lëvizja e lirë është një pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kemi dhe që kanë marrë të gjithë vendet tona, edhe Shqipëria dhe Kosova përfshirë, në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, por edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat kryesore të tij”, vijoi ajo.

Sipas raportimeve që ka marrë sot, Xhaçka tha se qeveria e Kosovës ka sqaruar që nuk bëhet fjalë për masa tregtare ekonomike, por për masa sigurie. sa/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR