• e premte, 27 dhjetor 2024

Xhaçka në takim me Dendias: Çështja "Beleri" nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe

Xhaçka në takim me Dendias: Çështja

Tiranë, 22 maj 2023 (MIA) - Ministrja shqiptare e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në takimin në Bruksel, me shefin grek të Diplomacisë, Nikos Dendias në të cilin kanë biseduar edhe rreth çështjes "Beleri" ka vlerësuar se kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe. 

"Takimi me mikun dhe kolegun tim, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”. Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin", shkroi Xhaçka në rrjetet sociale. 
 
 Ka theksuar se "blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë".
 

"E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë", shkruan ajo. 
 
Fredi Beleri ishte arrestuar më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, në kafenenë e tij në Himarë, nën dyshimin për blerjen e votave, pas çka gjykata në Vlorë i caktoi masën e paraburgimit dhe mbeti aty. 

Në zgjedhje u zgjodh kryetar i Himarës, nga koalicioni opozitar "Bashkë fitojmë", i propozuar nga partia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (partia e pakicës greke). 

Ai është kryetar i degës së organizatës së pakicës greke "Omonia" për qytetin e njëjtë. 

Arrestimi i tij e ashpërsoi retorikën nga distanca mes Tiranës dhe Athinës. Pas kërcënimit të Athinës se arrestimi i tij do të ndikojë në rrugën e intergrimeve shqiptare, Tirana ia ktheu që të mos përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë. fc/

Fotografia: Fejsbuku i Xhaçkës

QËNDRONI TË LIDHUR