• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Xhaçka: : Duhet sinjal i qartë, BE të përcaktojë një afat kohor paraprak të integrimit të rajonit

Xhaçka: : Duhet sinjal i qartë, BE të përcaktojë një afat kohor paraprak të integrimit të rajonit

Tiranë, 22 gusht 2023 (MIA) - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë,  Olta Xhaçka mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Quo Vadis Europa?” me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Zhosep Borel, informuan nga MPJ-ja shqiptare.

Ministrja Xhaçka gjatë fjalimit të saj, në sesionin “Zgjerimi dhe Fqinjësia/ Ballkani Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian, theksoi se "kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë e zgjoi Bashkimin Evropian dhe e detyroi atë të mendonte strategjikisht sa i përket çështjes së zgjerimit". 

“U desh një luftë, por sot BE-ja është e përqendruar si kurrë më parë dhe po tregon vullnet për të vepruar në mënyrë strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor. Ka një ndryshim real në qasjen e BE-së ndaj rajonit, i cili mund të shpresojmë se do të zgjasë dhe do të bëhet konkret në të ardhmen”, u shpreh kryediplomatja shqiptare. 

Theksoi se BE duhet të japë një sinjal të qartë duke përcaktuar një afat kohor paraprak të integrimit të rajonit, gjë e cila sipas saj, do ofronte një kornizë dhe një objektiv të qartë se çfarë dhe kur duhet arritur. 

 “Shpresojmë që BE-ja do të punojë me ne për konvergjencën ekonomike dhe sociale sepse pa e ndihmuar rajonin të ngushtojë hendekun e zhvillimit që vitet e fundit është zgjeruar, vështirë se do ta arrijmë atë më tej në rrugën drejt BE-së. E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishmja, dua të theksoj nevojën për mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi nga partnerët tanë evropianë dhe një angazhim nga ana e tyre se zgjerimi do të bazohet në merita”, nënvizoi  Xhaçka.

 Sipas saj, zgjerimi i BE-së nuk është i rëndësishëm vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për një Evropë më të qëndrueshme në tërësi.

Duke transmetuar informacionin për fjalimin e Xhaçkës, mediat shqiptare theksojnë se në konferencën e organizuar në Santander të Spanjës marrin pjesë liderë politikë nga vendet anëtare të BE-së, Ukraina dhe vende të tjera kandidate, eurodeputetë, profesorë universitarë dhe ekspertë të çështjeve më të rëndësishme gjeopolitike. 

 Foto: FB i Xhaçkës

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR