• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vuçiqi për planin evropian për Kosovën: Nuk ka pasur negociata – thanë merre ose lëre

Vuçiqi për planin evropian për Kosovën: Nuk ka pasur negociata – thanë merre ose lëre

Beograd, 28 shkurt 2023 (MIA) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli sonte në televizionin kombëtar RTS, me rastin e planit evropian për Kosovën, për të cilin në parim u pajtua dje në Bruksel, pasi opozita, veçanërisht e djathta, e akuzoi atë për tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, Vuçiqi është përballur me kritika të shumta, sidomos për pranimin e pjesës së Marrëveshjes ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në KB”, që sipas shumicës është njohje e pavarësisë. Në këtë kontekst, mitingje dhe tubime kombëtare në rrugë janë paralajmëruar si përgjigje ndaj synimit që “tërë Serbia të sakrifikohet për Asociacionin e Komunave Serbe”.

Vuçiqi tha se dje është zhvilluar vetëm një bisedë dhe ka paralajmëruar se do të ketë edhe më shumë. “Ka pasur bisedë, nuk jemi marrë vesh, do të vazhdojmë”, tha Vuçiqi në emisionin Takovska 10 në RTS.

Ai deklaroi se plani franko-gjerman në ndërkohë, siç tha, u bë propozim evropian.

"Ai plan i Bashkimit Evropian erdhi si ide e Emanuel Makronit dhe Olaf Sholcit, ata sollën letrën. Nuk kanë pyetur askënd, nuk ka pasur fare mundësi për negociata, thanë merre ose lëre", ka sqaruar presidenti serb.

Ai ka deklaruar gjithashtu se është paralajmëruar për pasojat e mospranimit të propozimit, duke përfshirë ndalimin e integrimit evropian dhe tërheqjen e drejtpërdrejtë të investimeve.

"Vendi do të ishte i izoluar", paralajmëroi Vuçiqi. Ai shtoi se Serbia dha një "përgjigje të mprehtë dhe të plotë". "U kthyen me ndryshime kozmetike", tha ai.

Është dashur ose të qëndrojmë në bisedime ose të braktisim gjithçka dhe të përfundojmë si në vitet nëntëdhjetë me një kolaps të plotë ekonomik, prandaj thashë se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani, tha Vuçiqi.

Ai tha se mediat serbe kanë publikuar disa pjesë nga propozimi evropian. "Them se nuk kam çfarë të fsheh, na thanë: merre ose lëre", theksoi Vuçiqi  në emisionin e RTS-së ku është sonte mysafir. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR