• e shtunë, 23 nëntor 2024

Vuçiq- Rama: Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime, ndonjëherë pajtohemi, ndonjëherë jo

Vuçiq- Rama: Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime, ndonjëherë pajtohemi, ndonjëherë jo

Beograd, 7 korrik 2023 (MIA)- Procesi i Berlinit edhe situata në rajon, përfshirë zhvillimet në veri të Kosovës, kanë qenë temat, për të cilat kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ka biseduar sot me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Kemi fituar shprehi të shkëmbejmë hapur mendime dhe ndonjëherë të mos pajtohemi me to, por duhet të punojmë për të mirën e paqes. Ne kemi nevojë për momente të tilla për të punuar së bashku”, tha Rama një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin serb Alleksandar Vuçiq, njofton REL.

Rama theksoi se beson që zvarritja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është gabim strategjik.

“Është gjithashtu gabim strategjik të vazhdohet me vonimin e krijimit të kushteve që serbët të ushtrojnë të drejtat e tyre fetare dhe që kisha të funksionojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai ka shtuar se është gjithashtu gabim të “insistohet” që kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës të qëndrojnë në ndërtesa komunale.

“E kam thënë publikisht këtë dhe e përsëris këtu”, tha Rama, duke shtuar se pret që, nga ana e palës serbe, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje në komunat veriore të Kosovës, kur të krijohen kushtet.

Në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, përkundër kundërshtimit të serbëve lokal që bojkotuan zgjedhjet, në veri të Kosovës u ngritën tensione.

Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore kërkojnë de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Rama theksoi se dëshiron të njihet me idenë e presidentit të Serbisë për kërkesën për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.

“Nuk e di se çfarë mendon presidenti kur thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të merret me çështjen e veriut të Kosovës. Mund të flas për këtë kur ta kem një ide të qartë”, tha Rama, informon REL.

Vuçiq tha se do të kërkonte një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai më pas tha se do të kërkonte nga Këshilli i Sigurimit që të “iniciojë masa urgjente” për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Rama tha gjithashtu se ai dhe Vuçiq do të shmangin shprehjen publike të mosmarrëveshjeve të tyre për Kosovën.

“Kemi mundësi t’i shkëmbejmë ato dhe kjo është e mjaftueshme”, tha ai.

Këtë qëndrim e ka shprehur edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të flasë në detaje për “pikëpamjet shpeshherë të ndryshme për situatën në Kosovë”.

 

QËNDRONI TË LIDHUR