• e diel, 21 korrik 2024

VLEN: Uniteti është çelësi i suksesit tonë, bashkë arrijmë qëllimin

VLEN: Uniteti është çelësi i suksesit tonë, bashkë arrijmë qëllimin

Shkup, 21 korrik 2024 

Koalicioni VLEN thekson unitetin dhe përkushtimin e qartë ndaj parimeve, vlerave, ideologjisë dhe angazhimeve të përbashkëta programore.

Ashtu siç kemi ndarë me opinionin, ne jemi të përkushtuar që VLEN të rritet dhe të zhvillohet në një lëvizje politike, që do t’u përgjigjet nevojave të shqiptarëve me hapa të mirëpërcaktuar strategjike.

Në këto kohë të ndryshimeve politike tektonike, në të cilat BDI dhe satelitët e saj në opozitë për çdo ditë shpifin, trillojnë dhe përgatisin një mjedis për të kontestuar përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit për hir të mbrojtjes së krimit, është thelbësore që ne të bashkohemi edhe më fuqishëm dhe të punojmë së bashku për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve. VLEN-i është ndërtuar mbi parimet e drejtësisë, transparencës dhe përkushtimit për sigurimin e standardit më të lartë jetësor të qytetarëve. Qëndrueshmëria jonë politike është forca jonë më e madhe dhe garanton që qytetarët mund të mbështeten tek ne për një qeverisje të drejtë dhe efektive. 

Synimi ynë është të krijojmë një lëvizje politike që jo vetëm identifikon dhe adreson problemet e përditshme të shqiptarëve, por edhe ofron zgjidhje konkrete dhe të zbatueshme për vendosjen e fundamenteve për një të ardhme të sigurtë. Ne besojmë se me hapa të mirëpërcaktuar dhe veprime të vendosura, mund të sjellim ndryshimet e nevojshme dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Qytetarët të nderuar, pas formimit të Trupit Koordinues Politik të VLEN-it vijon edhe formimi i Komisionit të koalicionit për çështjet e zgjedhjeve, emërimeve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, i cili do të jetë filtri i fundit i të gjitha vendimeve kadrovike për zbatimin e përcaktimeve programore me të vetmin qëllim, rritjen e efikasitetit në implementimin e politikave.

VLEN-i mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të mbrojtur dhe promovuar interesat e qytetarëve dhe për të siguruar një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme. Bashkë, ne do të vazhdojmë të ecim përpara me kurajë dhe vendosmëri.

VLEN-i është uniteti i shqiptarëve!

Me respekt

Koalicioni VLEN

__________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR