• e shtunë, 17 gusht 2024

"Vlen" paralajmëroi ngritjen e procedurave ligjore për keqpërdorime të pozitës zyrtare për vendime të jashtëligjshme lidhur me lojërat e fatit

Shkup, 16 gusht 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe një nga liderët e Koalicionit "VLEN", Izet Mexhiti sot në konferencë për media paralajmëroi ngritjen e procedurave adekuate ligjore për dëshmimin e keqpërdorimeve të pozitës zyrtare të të gjithë kompetentëve të cilët morën pjesë në miratimin e vendimeve të jashtëligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit. 

"Falë vendimeve të gabuara, të papërgjegjshme dhe korruptive të ministrave të BDI-së, përmes hapjes së tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet, lojërat e fatit përmes pajisjeve mobile dhe kompjuterëve hynë në shtëpi, duke i bërë të rinjtë një objektiv edhe më të lehtë për këtë dukuri jashtëzakonisht devijuese. Për këtë arsye, paraqitëm Kërkesë për interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me qëllim që të marrim një interpretim të saktë nëse vendimi i Qeverisë së mëparshme dhe drejtuesve të Lotarisë Shtetërore për lojërat e fatit në internet ka bazë ligjore. Interpretimi autentik është miratuar nga shumica e deputetëve dhe parashikon që lojërat e fatit në internet mund të organizohen vetëm mbi bazën e një licence të vlefshme. Duke marrë parasysh se të gjitha kompanitë që në kohën e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit morën pjesë në thirrjen publike dhe u zgjodhën për të organizuar lojëra të fatit në internet nuk kanë licenca, kjo do të thotë se menjëherë dhe pa vonesë do të largojmë lojërat e fatit si një e keqe shoqërore nga shtëpitë e qytetarëve tanë", tha Mexhiti.

Ai potencoi se tashmë janë duke punuar dhe brenda një afati të arsyeshëm, Qeveria do t'i propozojë Kuvendit një ligj të ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili do të përmbajë një sërë dispozitash me të cilat janë të sigurt se numri i objekteve ekzistuese për lojërat e fatit do të zvogëlohet të paktën përgjysmë.

"Brenda koalicionit qeverisës ekziston vullnet politik që ky plan të realizohet plotësisht. Kalojmë në veprim!", tha Mexhiti. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR