• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vjosa Osmani: Kosova dhe NATO-ja kanë të njëjtin synim – paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon

Vjosa Osmani: Kosova dhe NATO-ja kanë të njëjtin synim – paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon

Bruksel, 7 shtator 2023 (MIA) - Kosova nuk do të heqë dorë me asnjë kusht nga rruga euroatlantike, sepse kemi bërë shumë sakrifica për ta arritur atë, tha sot presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.

"NATO është fati ynë në këtë kohë vendimtare për komunitetin transatlantik. Kosova, sikurse NATO-ja, kanë qëllim të njejtë, ajo është paqja, stabiliteti dhe siguria për të gjithë njerëzit në rajon", porositi Osmani, duke shtuar se suksesi i Kosovës paraqet edhe sukses të NATO-s në zhvillimin e demokracisë dhe garantimin e sigurisë në rajon.

Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s në Kosovë-KFOR për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës.

Osmani theksoi se sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të këtij viti ishin vepër e grupeve kriminele serbe, duke shtuar se derisa përgjegjësit për këto sulme nuk dënohen, ekziston rrezik që autorët këtë ta kuptojnë si "dobësi e jona e përbashkët" dhe se mund të vazhdojnë me sulme ndaj Forcave të NATO-s, policisë kosovare dhe gazetarëve.

"Gjithmonë kur kemi punuar së bashku me partnerët, ka pasur rezultate. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku, sepse të gjtihë ata që janë kundër Kosovës, janë edhe kundër NATO-s. Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it tregoi se këto forca destruktive duan ta sulmojnë sistemin e themeluar në vlera, ndaj të cilave jemi ndërtuar ne dhe NATO-ja", tha Osmani.

Ajo tha se Kosova dhe rajoni ballkanik janë ekspozuar në përpjekjet ruse për destabilizim, që manifestohet edhe me zhvillimet në Veri të Kosovës, duke akuzuar se gjithçka që bën Serbia e bën në koordinim  dhe nën ndikim të Moskës.

"Kosova vazhdimisht është e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe pengimit të vazhdueshëm  të autoritetit dhe sovranitetit të saj legjitim në pjesën veriore. Kjo në shumë raste përbën agresion, siç përcaktohet në ligjin për të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare. Të  jemi të qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë  pjesë përbërëse e Republikës së Kosovës", tha Osmani.

Ajo theksoi se institucionet e Kosovës janë përkushtuar në përforcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatët, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë dhe nga ky aspekt Kosova është plotësisht në përputhje me politikat e Perëndimit.

"Kjo është një kohë kritike për rajonin e Evropës dhe e shprehim përkushtimin për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta. Kosova e mbështet Ukrainën dhe do të vazhdojë ta mbështesë deri në çlirimin e gjithë territorit të saj", tha Osmani.

Ajo theksoi se Samiti i i fundit i NATO-s konfirmoi qartë mbështetjen e politikës së dyerve të hapura për zgjerimin e Aleancës, duke e theksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Pakt.

"Kosova dhe NATO-ja janë të lidhura, ndërsa NATO na duhet si garantues i paqes dhe si mbrojtës i demokracisë", theksoi Osmani, duke shtuar se paqja dhe liria afatgjate janë të mundshme vetëm me respektimin e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracisë.

Stoltenberg nga ana e tij theksoi se sulmet ndaj forcave të KFOR-it, si ai në maj të këtij viti, kur u plagosën 93 ushtarë të KFOR-it janë "plotësisht të papranueshme" dhe apeloi për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, sepse siç tha siguria e rajonit është një rëndësi kyçe. 

Ai bëri thirrje që Kosova të tregojë se është faktor i cili kontribuon për stabilitet, duke theksuar se NATO-ja pret që të njoftohet dhe konsultohet për çfarëdo lloj aktivitetesh të forcave të sigurisë ose policisë së Kosovës që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë dhe ndaj KFOR-it, i cili siç tha e ndjek situatën që të mundësojë lëvizje të lirë të pjesëtarëve të bashkësive etnike.

"I mirëpres hapat e fundit të ndërmarra nga Prishtina për uljen e tensioneve, duke përfshirë reduktimin e numrit të policisë speciale në veri dhe planet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale. Por është e nevojshme të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm. Prandaj u bëj thirrje të gjitha palëve që të shmangin nxitjen e retorikës dhe të veprojnë me përmbajtje dhe në përputhje me angazhimet e tyre", tha Stoltenberg.

Ai theksoi se Aleanca fuqishëm e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe e përshëndet takimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të paralajmëruar për javën e ardhshme në Bruksel në organizim të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. 

"Dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhen çështjet e hapura dhe të arrihet zgjidhje e cila do t'i respektojë të drejtat e të gjitha bashkësive. Kjo kërkon durim, këmbëngulje dhe kompromis", shtoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Osmani tha se Kosova është partneri i vetëm konstruktiv në këto bisedime, duke theksuar se Serbia ka "listë të gjatë" të detyrave të papërmbushura të ndërmarra me planet e harmonizuara në Bruksel dhe Ohër. 

"Kosova insiston në përmbushjen e plotë të të gjitha dispozitave të dakorduara. Nuk ka asnjë dispozitë që është më e rëndësishme se tjetra. Ne jemi të përkushtuar që të përmbushim pjesën tonë të obligimeve, por edhe Serbia ka marrë obligime konkrete, ndër të cilat është që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por e ka shkelur këtë", shtoi Osmani. sa/fc/

Fotografia: NATO/Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR