• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vjosa Osmani: Është koha që Ukraina të marrë vendime të guximshme për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën

Vjosa Osmani: Është koha që Ukraina të marrë vendime të guximshme për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën

Prishtinë, 25 gusht 2023 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha sot se Kosova është "partner natyror" i Ukrainës dhe se tani është koha që Kievi të marrë "vendime të guximshme" për vendosjen e marrëdhënieve ndërshtetërore, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në shënimin e sotëm të 32-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, organizuar nga disa ambasada të huaja në Kosovë, Osmani tha se vendi i saj ishte dhe mbetet "mbështetës i fuqishëm i lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së Ukrainës, kundër një", siç e quajti Rusinë, "fqinji agresiv dhe gjenocidal".

"Mbështetja jonë është parimore dhe e udhëhequr nga vlerat që janë të rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë sovran. Ne presim që Ukraina të kthejë mbështetjen e saj për Kosovën si një shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleat natyror në këtë rajon. Lufta i bashkoi kombet tona dhe tani është koha për vendime të guximshme për të vendosur marrëdhënie mes nesh", tha Osmani.

Ajo tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën nuk është befasi dhe se "ashtu siç dikur populli kosovar ishte viktimë, populli ukrainas tani po përballet me krime të tmerrshme".

"Narrativa e Rusisë, e cila merr rastin e Kosovës si shembull për të justifikuar luftën në Ukrainë, duhet të refuzohet nga të gjithë dhe askush të mos bjerë në kurthin e (presidentit rus Vladimir Putin", tha Osmani.

Mediat në gjuhën shqipe në Prishtinë, duke iu referuar politikanëve të caktuar ukrainas, përfshirë edhe deputetin e Kuvendit të Shtetit, Oleksij Gonarçenko, së fundmi kanë spekuluar me informacione për gjoja njohjen e Kosovës nga Ukraina. Megjithatë, sipas raportimeve, për momentin nuk ka asnjë njoftim për një gjë të tillë nga Kievi zyrtar. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR