• e shtunë, 23 nëntor 2024

Vengu: Shqipëria, nyja e bashkëpunimit rajonal të sigurisë dhe mbrojtjes

Vengu: Shqipëria, nyja e bashkëpunimit rajonal të sigurisë dhe mbrojtjes

Tiranë, 6 nëntor 2024 (MIA) - Në Tiranë mbahet takimi i ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore, SEDM, ku marrin pjesë zyrtarë të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes nga rajoni dhe bota.

Nikoqiri, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Piro Vengu vlerësoi se kjo nismë mbetet e rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit rajonal, fqinjësinë e mirë, rritjes së kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimit në strukturat euroatlantike.

“Shqipëria këtë vit është kthyer në një nyje të bashkëpunimit, të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale, duke kryesuar dhe mikpritur disa formate të rëndësishme. Kthjelltësia dhe angazhimi i Shqipërisë në mbështetje të agjendës së NATO dhe BE mbetet i padiskutueshëm veçanërisht për rritur qëndrueshmërinë kombëtare, forcuar mbrojtjen kolektive dhe frenuar ambiciet e aktorëve të tretë”, shton vengu, publikoi ATA.


Ai theksoi se vajzat dhe djemtë e FA ndodhen sot në Republikën e Kosovës, në Bosnjë, në Letoni Bullgari, Irak, në detin Egje, Sudanin e Jugut dhe Sinai, por "vendi ynë ka vënë në dispozicion të sigurisë së përbashkët edhe asetet kombëtare si Baza Ajrore e Kuçovës, për të vijuar më tej me korridorin 8 për lëvizshmërinë ushtarake me gjithë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe detare, siç do të jetë edhe porti i ri ushtarak i Porto Romanos".

“Roli i Shqipërisë si aktor i rëndësishëm i sigurisë dhe faktor stabiliteti në rajon vijon më tej gjatë këtij viti kur do të presim në fillim të dhjetorit në Tiranë, Ministerialin e Kartës së Adriatikut A-5”, tha ministri Vengu.

Në takimin, morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të SEDM, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Rumaninë, Turqinë, Slloveninë, Serbinë, Ukrainën, Moldavi, Gjeorgji dhe SHBA-në. Gjithashtu në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues nga organizatat RACVIAC, UNDP/SEESAC.


Takimi i ministrave të mbrojtjes SEDM është pjesa më e lartë dhe më e rëndësishme e procesit SEDM dhe mbahet çdo vit në një nga vendet anëtare me rotacion.

Ky është një mekanizëm efektiv për forcimin e stabilitetit rajonal dhe një nga forumet më të vjetra dhe më të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal të sigurisë dhe mbrojtjes. ls/

Foto: MM Shqipërisë 



QËNDRONI TË LIDHUR