• e enjte, 09 prill 2026

Vendet e botës përshëndesin armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit

Vendet e botës përshëndesin armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit

Nju Jork, 8 prill 2026 (MIA) - Shumë shtete e kanë përshëndetur marrëveshjen për armëpushimin dy javorë mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa mes reagimeve të para ishin Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Iraku, Australia, Japonia dhe Pakistani. 

Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Jugut shpreson se "negociatat do të përfundojnë me sukses "dhe se së shpejti do të rivendosen". Njëkohësisht, nga Seuli kërkojnë "lëvizje të lirë dhe të sigurt të të gjitha anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit", raporton "The Guardian".

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Zelandës së Re, Vinston Piter, e përshëndeti këtë hap si “lajm inkurajues”, por theksoi se "ende mbetet një pjesë e konsiderueshme e punës për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm".

Ministria e Punëve të Jashtme e Irakut bëri thirrje për një "dialog serioz dhe të qëndrueshëm" për të zgjidhur "thelbin" e konfliktit.

Japonia e vlerësoi armëpushimin si një "hap pozitiv" dhe pret që ai të çojë në një "marrëveshje përfundimtare" pas fillimit të bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, theksoi se Tokio angazhohet për deeskalim në rajon, ndërsa kryeministrja Sanae Takaiçi planifikon bisedime me presidentin iranian Masud Pezeshkijan. 

Ekspertët theksojnë se armëpushimi i përkohshëm përfaqëson një lehtësim për Japoni, e cila 90 për qind të nevojave të saj për naftë të papërpunuar i siguron nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht përmes Ngushticës së Hormuzit.

Edhe pse Takaiçi dënoi sulmet iraniane, ajo refuzoi kërkesën e presidentit amerikan Donald Tramp, për dërgimin e forcave detare japoneze. Ky vendim rrjedh nga rregullimi kushtetues pas luftës në Japoni, i cili ndalon përdorimin e forcës në konfliktet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Trampi, përsëri, kritikon Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë për refuzimin për t'u përfshirë në luftë. 

Reagime pozitive edhe në bursat aziatike – indeksi japonez Nikkei u rrit për 4,8 për qind, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut shënoi një rritje prej 5,6 për qind.

Analisti Tahahide Kjuiçi nga Instituti "Noruma" paralajmëroi se vendet që varen nga importi i naftës, si Japonia, mund të përballen me "rreziqe serioze ekonomike", gjë që potencialisht do të kërkojë uljen e konsumit të benzinës dhe energjisë elektrike. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR