• e shtunë, 23 nëntor 2024

Vazhdon tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri të Kosovës

Vazhdon tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri të Kosovës

Prishtinë, 3 gusht 2023 (MIA) - Nga nesër do të nisë zvogëlimi i pranisë së Policisë së Kosovës edhe për 25 për qind në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, gjë e cila ka ardhur pas një vlerësimi të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEKS-i dhe KFOR-it, të cilët kanë theksuar se situata në veri është e mirë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEKS dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.

“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEKS dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit, ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEKS dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR