Vazhdoi seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re
- Në Kuvend sot paradite ka vazhduar seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, e propozuar nga mandatari dhe lider i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Votimi do të vijojë pas përfundimit të debatit, më së voni në mesnatë.
Shkup, 23 qershor 2024 (MIA) - Në Kuvend sot paradite ka vazhduar seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, e propozuar nga mandatari dhe lider i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Votimi do të vijojë pas përfundimit të debatit, më së voni në mesnatë.
Qeveria do të zgjidhet nëse pro votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Seanca filloi dje me ekpsozenë e Mickoskit, ndrësa e ndoqën presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe përfaqësues të korit diplomatik. Mickoski i elaboroi programin dhe propozimin për përbërjen e qeverisë. Paralajmëroi rikthimin e besimit në institucione, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, ringjalljen ekonomike, uljen e taksave, rritjen e pensioneve dhe pagave, ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe përkushtim për integrimeve evropiane. E porositi opozitën se ka shtrirë dorën dhe se është i gatshëm të diskutojë për të gjitha çështjet e hapura dhe të rëndësishme. Opozita, ndërkaq, vlerësoi se programi i qeverisë së re është larg premtimeve të bëra dhe se nuk mund të parashikohet se do të realizojë atë që premton.
Në mesin e folësve ishte edhe lideri i LSDM-së, ish-kryeministri dhe deputet aktual, Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit, programi ka pjesë dhe qëndrime jokonsistente. Paralajmërimet për ekonominë, vlerësoi Kovaçevski, janë të përgjithshme, pa numra konkretë për rritjen e pagës mesatare dhe minimale, ndërsa sa i përket përbërjes së kuadrove të qeverisë, theksoi se "ka ardhur koha që shumica qeveritare e tanishme të votojë për ata që ka deri dje i ka sulmuar", duke theksuar si shembull Arben Taravarin, i cili është propozuar për ministër të Shëndetësisë.
Shumica parlamentare që pritet të mbështesë qeverinë e re në Legjislativ përbëhet nga 78 deputetë, 58 nga koalicioni VMRO-DPMNE, 14 nga Vleni dhe gjashtë nga ZNAM.
Në Qeverinë e re do të ketë gjithsej 20 ministri, katër më shumë se më parë. Qeveria do të ketë 24 anëtarë. Përveç kryeministrit do të jenë edhe 23 zëvendëskryeministra dhe ministra të tjerë, 20 prej të cilëve kanë portofol. Mickoski do të ketë pesë zëvendës gjegjësisht zëvendëskryeministra dhe njëri prej tyre do të jetë zëvendëskryeministër i parë. Në kabinetin qeveritar, 15 anëtarë janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, gjashtë nga koalicioni Vlen dhe dy nga ZNAM.
Foto: MIA