• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Vazhdohet paraburgimi i të dyshuarve për sulmin në Banjskë

Vazhdohet paraburgimi i të dyshuarve për sulmin në Banjskë

Prishtinë, 20 gusht 2024 (MIA) - Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të zgjasë masën e paraburgimit për dy muaj për tre të dyshuarit Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajmi është konfirmuar nga Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në zyrën e kryetares së gjykatës.

"Duke iu përgjigjur kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marrë aktvendim më 20 gusht 2024 dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke vendosur që masa e paraburgimit për tre të pandehurit të zgjatet për 2 muaj", thuhet në përgjigjen me shkrim të Gashit.

Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq janë në paraburgim që nga 26 shtatori 2023. 

Ata përballen me akuza për veprat penale: "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", "Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës" dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

Në incidentin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy oficerë të tjerë të policisë. Pas këtij sulmi, tre nga sulmuesit u vranë, ndërsa të tjerët u tërhoqën pas një qëndrimi të shkurtër në Manastirin e Bajnskës. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR