• e enjte, 26 dhjetor 2024

Varheji për vizitë dyditore në Turqi

Varheji për vizitë dyditore në Turqi

Bruksel, 6 shtator 2023 (MIA) - Eurokomisari për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varheji sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Ankara në bisedime me nikoqirët e tij turq kushtuar marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Turqisë.

Siç bëri të ditur Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit dyditësh në Ankara, Varheji do të takohet me ministrat turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, të Tregtisë Omer Bolat, të Familjes dhe Shërbimeve Sociale Mahinur Ozdemir Gjoktash, të Energjetikës dhe Resurseve Natyrore, Alparsan Bajraktar dhe të Industrisë dhe Teknologjisë, Fatih Kaçir.

Është paraparë që gjatë vizitës së Varhejit të nënshkruhet marrëveshje për pagesën e 781 milionë eurove nga fondet e BE-së për kategoritë më të ndjeshme të refugjatëve në Turqi, si pjesë e ndihmës prej tre miliardë euro që Unioni i premtoi për mbështetjen e refugjatëve në vend. 

Kjo është vizita e parë zyrtare e një përfaqësuesi të BE-së në Turqi pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vend në maj të këtij viti. 

"Vizita vijon pas konkluzioneve të Këshillit Evropian nga qershori, me të cilat liderët e BE-së i bënë thirrje përfaqësuesit të lartë të Unionit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borel dhe Komisionit Evropian të parashtrojnë raport në Këshillin Evropian për marrëdhëniet BE-Turqi. Kjo vizitë vjen edhe para publikimit të raportit të ardhshëm për zgjerimin, i cili pritet në tetor", shtohet në kumtesë. 

Në vigjilje të vizitës së sotme të Varhejit, Komisioni Evropian dhe Turqia të premten nënshkruan marrëveshje me të cilën mundësohet qasje e administratës publike turke, kompanive dhe organizatave të tjera në Programin "Evropa digjitale", Komisioni Evropian, gjithashtu, propozoi edhe mbështetje financiare prej 400 milionë euro nga Fondi i Solidaritetit të BE-së për ndihmë në tejkalimin e pasojave nga tërmetet shkatërruese në Turqi në shkurt të këtij viti. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR