• e enjte, 26 dhjetor 2024

Valë e të nxehtit në Greqi - masa për mbrojtjen e qytetarëve

Valë e të nxehtit në Greqi - masa për mbrojtjen e qytetarëve

Athinë, 11 qershor 2024 (MIA) - Valë e të nxehtit me temperatura jashtëzakonisht të larta që do të arrijnë deri 43 gradë Celsius do të prekë Greqinë prej sot deri të premten, ndërsa ministritë përkatëse kanë paralajmëruar masa për mbrojtjen e qytetarëve, mes atyre përfshirë mundësinë e punës nga shtëpia për nëpunësit civilë dhe rekomandime për nxënësit, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Greqisë, me kompetencë edhe për administratën publike, kumtojnë se shërbimet e shtetit të cilët i përkasin kategorive të cenueshme duhet të punojnë nga shtëpia, por e njëjta gjë rekomandohet për pjesën tjetër, nëse është e mundur.

Duke pasur parasysh se në disa shkolla në ditët në vijim po zhvillohen provimet e maturës shtetërore, por dhe provimet përfundimtare për nxënësit, përmes një letre qarkore të Ministrisë së Arsimit, informohen drejtorët që të kujdesen për masat mbrojtëse, si përdorimi i klasave që kanë kondicioner ose ventilatorë, për të shmangur aktivitetet në diell, për të siguruar ujë dhe lëngje për nxënësit etj.

Sipas meteorologëve grekë, kjo është vala e parë e të nxehtit në gjysmën e parë të qershorit në 50 vitet e fundit.

Vullnetarët e Kryqit të Kuq në qendër të Athinës dhe në katër qytete të tjera kanë ngritur tenda ku shpërndajnë ujë dhe i informojnë qytetarët se si të mbrohen nga temperaturat e larta, ndërsa komunat kanë hapur vende me ajër të kondicionuar.

Gjatë ditës së djeshme në Qendër të Greqisë janë regjistruar temperaturat më të larta prej 38 dhe 39 gradë, ndërsa sipas parashikimeve, e enjtja pritet të jetë dita më e nxehtë me temperatura deri në 43 gradë Celsius.

Njëkohësisht, për shkak temperaturave të larta është rritur edhe rreziku për zjarre. rq/

 

QËNDRONI TË LIDHUR