• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vagner: Gjermania nuk do të lejojë “zona gri” në Evropë, Maqedonia e Veriut e ka për detyrë të respektojë Marrëveshjen e Prespës

Vagner: Gjermania nuk do të lejojë “zona gri” në Evropë, Maqedonia e Veriut e ka për detyrë të respektojë Marrëveshjen e Prespës

Shkup/Berlin, 13 maj 2024 (MIA) - Maqedonia e Veriut ka për obligim të respektojë Marrëveshjen e Prespës, porosisin nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, pasi presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska- Davkova në inaugurimin e saj nuk e përmendi emrin kushtetues të shtetit me mbiemrin “Veriu”, njofton Dojçe Vele.

Qeveria në Berlin, siç transmeton Dojçe Vele, dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re në Shkup dhe e konsideron të rëndësishme që vendi të vazhdojë rrugën drejt BE-së dhe të zbatojë reformat e nevojshme gjatë asaj rruge.

"Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Gjermaninë drejt asaj rruge. Sa i përket përdorimit të emrit, ekziston marrëveshje ndërkombëtare, Marrëveshja e Prespës me Greqinë për të cilën Maqedonia e Veriut është e detyruar", deklaroi zëdhënësi i MPJ-së gjermane, Kristian Vagner.

Në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e re në Shkup nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës, Vagner nuk deshi të spekulojë, por tha se qeveria e tij mbetet në qëndrimin se Ballkani Perëndimor i përket BE-së.

"Qeveria gjermane është shumë aktive në atë pjesë dhe ne nuk do të lejojmë zona gri në Evropë. Nëse do të lejonim zona të tilla gri, ato do të shfrytëzoheshin nga vende të tjera. Prandaj mbetemi në politikën tonë ndaj Ballkanit Perëndimor", ka thënë Vagner, duke shtuar se duhet pritur sepse qeveria e re në Shkup ende është duke u negociuar.

Gordana Siljanovska-Davkova shkaktoi reagime të shumta pasi gjatë inaugurimit si presidente e re e shtetit në Kuvend nuk e përmendi emrin kushtetues.

Presidentja Siljanovska Davkova u inaugurua dje në Kuvendin e Maqedonisë, ku dha deklaratë solemne para Kuvendit me çka dhe filloi mandatin e saj pesëvjeçar si shefe e shtetit. Si presidente e gjashtë që nga pavarësia e vendit dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë pozitë, Siljanovska Davkova zëvendësoi Stevo Pendarovskin në postin presidencial pasi fitoi në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR