• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vërshime të mëdha në Republikën Kongo, mijëra njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente

Vërshime të mëdha në Republikën Kongo, mijëra njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente

Brazavil, 13 janar 2024 (MIA) - Qindra mijëra njerëz në Republikën Kongo kanë nevojë për ndihmë urgjente për shkak të vërshimeve të cilat kapluan zona të mëdha të vendit, njoftuan sot Kombet e Bashkuara. 

Reshjet e pazakonta të mëdha shkaktuan që nëntë nga 12 rrethet e vendit të goditen nga përmbytjet që dëmtuan objektet shëndetësore dhe shkollat ​​dhe zhytën tokat bujqësore, thuhet në kumtesën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Më shumë se 330.000 persona i ndjejnë pasojat nga kjo katastrofë. 

"OBSH do ta mbështesë qeverinë që të shpëtojë jetë të njerëzve dhe të sigurojë qasje në shërbimet bazike", deklaroi Lusien Manga, përfaqësues i organizatës në Kongo.

Reshjet janë dyfish më të mëdha se ato mesatare të shënuara në vitin 2022 dhe 2023 dhe deri më tani shkatërruan ose dëmtuan 34 institucione shëndetësore, 120 shkolla dhe më shumë se 64.000 shtëpi", bëhet e ditur në kumtesë. 

Vërshime ka përgjatë bregut të lumit Kongo dhe rreth lumit Ubangi, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmëruan se kjo mund të shkaktojë paraqitje të sëmundjeve të cilat transmetohen përmes ujit të ndotur, siç është kolera, dhe ta pengojnë qasjen në mbrojtje shëndetësore. 

"Niveli i lumenjve ende është i lartë, ndërsa sipas gjitha gjasave ujërat nuk do të tërhiqen në të ardhmen e afërt", deklaroi zëdhënësi qeveritar Tieri Mungala. 

Vërshimet filluan para dy javëve, ndërsa deri më tani në to humbën jetën të paktën 17 persona, shtoi Mungala. 

Edhe pse vërshimet nuk janë një gjë e pazakontë në Kongo, banorët e kryeqytetit Brazavil thonë se nuk kanë parë një gjë të tillë me dekada. 

"Madje edhe vërshimet nga viti 1961 nuk ishin aq të mëdha si ato të cilat i shohim sot në Brazavil", thotë Antoan Okanxha (78), shtëpinë e të cilit e ka marrë uji. 

Qeveria paralajmëroi se do të investojë më shumë se tre milionë dollarë në fond për raste emergjente gjatë katastrofave. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR