• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ushtria siriane u tërhoq nga jugu i vendit

Ushtria siriane u tërhoq nga jugu i vendit

Damask, 7 dhjetor 2024 (MIA) - Ushtria siriane tha sot se është tërhequr nga pjesa më e madhe e jugut të vendit, duke lënë disa zona nën kontrollin e kryengritësve, përfshirë kryeqytetet e provincave Dara dhe Svejda.

Ushtria ka dërguar përforcime të mëdha për të mbrojtur qytetin kyç të Homsit, i treti më i madh i Sirisë, periferitë e të cilit tashmë janë pushtuar nga kryengritësit.

Nëse kryengritësit marrin Homsin, ata do të ndërpresin lidhjen midis Damaskut dhe bregdetit, ku ndodhen bazat ushtarake ruse dhe qendra e komunitetit alavit, nga i cili vjen presidenti sirian Bashar al Asad.

Përparimi i shpejtë i kryengritësve përfaqëson një kthesë të madhe për Asadin, i cili është pothuajse i vetëm pasi Rusia është angazhuar në Ukrainë dhe Hezbollahu i Libanit është dobësuar nga lufta me Izraelin.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportuan dje se kishin pushtuar pjesë të provincës lindore të Deir al Zor, e cila kufizohet me Irakun. Kjo është e pafavorshme për Iranin, i cili furnizon luftëtarët që mbështet në Siri dhe Liban nëpërmjet kësaj rruge.

Organizata joqeveritare "Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut" njoftoi sot se këshilltarët ushtarakë iranianë po largohen nga Siria dhe luftëtarët e mbështetur nga Irani, kryesisht nga Afganistani dhe Pakistani, janë tërhequr në Sirinë qendrore.

Ofensiva e befasishme, e udhëhequr nga grupi xhihadist Hajat Tahrir al-Sham (HTSH), filloi në fund të nëntorit. Kryengritësit kanë pushtuar qytetin verior të Alepos, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, dhe qytetin e Hamës.

Udhëheqësi i HTSH-së, Abu Muhamed al-Golani, tha për Si-En-En se qëllimi i ofensivës është të rrëzojë Asadin.

Pas rënies së Daras dhe Svejdas, forcat qeveritare kontrollojnë vetëm pesë kryeqytete provinciale - Damaskun, Homsin, Kuneitrën, si dhe Latakian dhe Tartusin në bregdetin e Mesdheut.

Lufta civile e Sirisë ka vazhduar që nga marsi i vitit 2011, me rreth gjysmë milionë të vdekur dhe zhvendosjen e gati gjysmës së popullsisë së saj të paraluftës prej 23 milionë. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR