• e mërkurë, 02 tetor 2024

Uols dhe Vens, kandidatët për nënpresidentë të SHBA-së, sonte në debatin e vetëm në Nju-Jork

Uols dhe Vens, kandidatët për nënpresidentë të SHBA-së, sonte në debatin e vetëm në Nju-Jork

Uashington, 1 tetor 2024 (MIA) - Kandidatët për nënpresidentë Xhej Di Vens dhe Tim Uolc përballen sonte në debatin e tyre të parë dhe të vetëm. Debati mes republikanit Vens dhe demokratit Uolc do të zhvillohet në Nju-Jork.

Uolc che Vens do të debatojnë për 90 minuta sot në praninë e dy moderatorëve në një sallë pa audiencë.

Senatori nga Ohajo, Vens thotë se debati është një shans për të treguar se si republikanët do të përmirësojnë ekonominë dhe do të sigurojnë kufirin.

“Është një mundësi për mua t'i tregoj popullit amerikan se si mund t'ua bëjmë jetën më të mirë dhe se si politikat e Donald Trumpit mund t'i bëjnë ata më të begatë, botën më paqësore dhe kufirin jugor më të sigurt. Nëse i bëjmë këto gjëra, do të fitojmë”, tha ai.

Guvernatori i Minesotës, Uolc thotë se demokratët mbështesin amerikanët e klasës punëtore. Sipas tij, këtë nuk e bënë kundërshtari i tij.

“Unë u rrita në rajonet qendrore të Amerikës. Xhej Di studioi në Universitetin Jejl, e financoi karrierën e tij me ndihmën e miliarderëve dhe më pas shkroi një libër, ku kritikon ashpër komunitetin ku u rrit. Ai nuk ka gjë të përbashkët me banorët e kësaj zone të Amerikës dhe më duhet t'ju them se mezi pres të debatoj me këtë njeri”, tha ai.

Xhej Di Vens, një kritik i dikurshëm i Trampit, mori mbështetjen e ish-presidentit republikan në garën për në Senat.

Që nga ajo kohë, ai përqafoi qasjen e Trampit "Amerika e Para".

"Armiqtë tanë dhe shumë demokratë na quajnë 'populistë' sikur të ishte një fyerje. Por nëse kjo nënkupton të jesh në anën e njerëzve që punojnë dhe jo me elitat e fuqishme që po dobësojnë klasën tonë të mesme dhe po mbështesin luftërat e palogjikshme jashtë vendit, atëherë mund të më quani populist", tha ai.

Senatori Vens së fundmi u tha udhëheqësve evropianë se duhet të japin kontribut më të madh për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Uolc thotë se senatori Vens dhe ish-presidenti Tramp do të hiqnin dorë nga roli udhëheqës i Amerikës në botë.

“Në të kaluarën, kur republikanët flisnin për lirinë, ata vërtetë e mbronin atë. Ata nuk do t'u kthenin shpinën aleatëve. Ata nuk do ta linin Ukrainën të luftonte vetëm”, theksoi Uolc.

Senatori Vens thotë se zonja Harris po dëmton punëtorët amerikanë, duke favorizuar mbështetjen për emigrantët e paligjshëm.

"Kamala Harris duket se dëshiron t'u ofrojë njerëzve që nuk duhet të jenë këtu, të gjitha përfitimet që u takojnë qytetarëve amerikanë. Kjo do të çojë në falimentimin e vendit dhe do ta bëjë të pamundur për amerikanët e thjeshtë të blejnë shtëpi, ushqime dhe të përfitojnë nga programet sociale”, tha ai.

Guvernatori Uolc thotë se karriera e Trampit në biznes dhe në politikë tregon se ai përpiqet të mbështesë vetëm njerëzit e pasur si ai.

"Ai dëshiron krijimin e një ekonomie që ndihmon të pasurit dhe dëmton ata me të ardhura më të ulëta. Këtë bëjnë ata. Çmimet tuaja rriten. Ata duan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit shëndetësor, të shkurtojnë programet sociale dhe sigurimet shëndetësore për të moshuarit, gjëra që e shpëtuan nënën time nga varfëria”, thotë ai.

Ky është debati i fundit i planifikuar përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ndërsa votimi i hershëm tashmë ka filluar në disa shtete. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR