• e enjte, 26 dhjetor 2024

"Uollstrit zhurnal": Humbjet ushtarake të Rusisë dhe Ukrainës kanë arritur mbi një milion të vrarë dhe të plagosur

 Uashington, 18 shtator 2024 (MIA) - Humbjet e përgjithshme ushtarake të  Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, e kaluan shifrën prej një milion të vrarë dhe të plagosur, raporton sot "Uollstrit zhurnal".

 Gazeta u referohet informacioneve të klasifikuara të qeverisë ukrainase dhe informacioneve nga shërbimet e inteligjencës perëndimore.

 Humbjet ushtarake të Ukrainës vlerësohen në 80.000 ushtarë të vrarë dhe 400.000 të plagosur. Humbjet e Rusisë arrijnë në 200.000 të vrarë dhe 400.000 të plagosur, dukeniu referuar vlerësimeve të  shërbimeve të inteligjencës perëndimore.

 Një vlerësim i ngjashëm i humbjeve ruse jep edhe shërbimi i inteligjencës ushtarake britanike. Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje një rënie në ritmin e rekrutimit të ushtarëve të rinj në armatën ruse.

 Ritmi i rekrutimit ushtarak rus në vitin 2024 është ulur në krahasim me ritmin e arritur në vitin 2023. Në fund të vitit 2023, zyrtarët rusë pretenduan se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë po rekrutonte rreth 1.600 njerëz në ditë. Megjithatë, këtë vit, sipas të dhënave të publikuara, ky numër është rreth 1.000 persona në ditë.

Këta numra deri në një masë të caktuar me siguri janë rritur, bëri të ditur Ministria  britanike e Mbrojtjes në rrjetin social Iks,  thekson gazeta. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR