• e enjte, 26 dhjetor 2024

Universiteti i Tetovës e përkujtoi jetën dhe veprën e nobelistit shqiptar Prof. Dr. Ferid Murad

Universiteti i Tetovës e përkujtoi jetën dhe veprën e nobelistit shqiptar Prof. Dr. Ferid Murad

Tetovë, 11 shtator 2023 (MIA) - Universiteti i Tetovës, përmes një akademie përkujtimore, sot e nderoi jetën dhe veprën e nobelistit Prof. Dr. Ferid Murad, njëherit edhe laureat i titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës.

Siç kumton zyra për informim e UT-së, rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se nderimi i një kolosi me përmasa globale, sikurse ishte Prof. Dr. Ferid Murad, është detyrim për secilin prej nesh, sepse ai e ngriti në piedestalet më të larta emrin e kombit shqiptar, të cilit edhe ai vet i përkiste.

“Karriera e nobelistit tonë, Prof. Dr. Ferid Murad, u shoqërua me të arritura të njëpasnjëshme, pozita me ndikim, avancime përkatëse në institucione të rëndësishme në shumë vende të botës, anëtar dhe  bashkëpunëtor në shumë shoqata dhe institucione të ndryshme, kryetar i qindra komisioneve dhe këshillave me karakter mësimor-shkencor. Duhet veçuar aktivitetin e tij në dhjetëra qendra mjekësore dhe  universitete, siç janë: Universiteti i Virgjinisë, Universiteti i Teksasit, Universiteti i Stanfordit, Laboratorët Abot dhe të tjera. Mendimi i tij, që nuk ndaloi kurrë, e ka pasuruar shkencën me botime shkencore dhe publikime profesionale, libra dhe literaturë profesionale. Aktiviteti i tillë profesional-shkencor paraqet udhërrëfyes për gjeneratat e reja, që janë përcaktuar për punë kërkimore-shkencore.”, tha Zejneli.

Për jetën dhe veprën e novelistit Ferid Murad foli edhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit tonë, Prof. Dr. Salajdin Salihu. Ai tha se me ikjen në amshim të tij, u shua një bibliotekë lëvizëse e shkencës së mjekësisë.

“Jetën mund ta krahasojmë me segmentin. Dy skajet kufizuese të tij janë: lindja dhe vdekja. Ky krahasim duket si një ligj i pa shfuqizuar nga askush. Por jeta e dijetarit është gjysmëdrejtëz. Ajo kufizohet vetëm në njërën anë. E ka lindjen, por shtrihet deri në pambarim. Nëpërmjet një vepre, një shpikjeje apo gjurme të pashlyer, që askush s’e ka lënë para tij, njeriu krijon një formë të re ekzistenciale, të përgjithmonshme. Këtë formë ekzistenciale e ka siguruar tashmë edhe Ferid Muradi. Në kohën tonë bëhesh lehtë yll i përkohshëm medial, sepse bota i adhuron spektaklet dhe shfaqjet kalimtare, por historia njerëzore dëshmon se arritja deri te Lavdia e përjetshme s’ka njohur dhe s’njeh kësi kompromisesh. Lavdia e Përjetshme garantohet me vepra gjeniale, që i hyjnë në shërbim njerëzimit”, theksoi Salihu.

Në këtë akademi përkujtimore fjalë rasti mbajtën edhe Faton Ahmeti, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, kurse në emër të familjes së të ndjerit Prof. Dr. Ferid Murad, të pranishmit i përshëndeti nipi i tij, Ferid Muharemi. Po ashtu, të pranishmit në këtë akademi në librin e zisë shënuan kujtimet e tyre për veprën e nobelistit Ferid Murad. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR