• e enjte, 26 dhjetor 2024

Unioni Afrikan sot mban takim kushtuar situatës në Niger

Unioni Afrikan sot mban takim kushtuar situatës në Niger

Niamej, 14 gusht 2023 (MIA) - Union Afrikan kumtoi se sot do të mbajë takim për situatën në Niger, ku ushtria organizoi grusht shtet dhe instaloi qeverinë e vet.

Takimi i Këshillit të paqes dhe sigurisë, organi përgjegjës për konfliktet dhe sigurinë në kuadër të Unionit Afrikan, po mbahet në kohën kur kryerësit e grusht shtetit gjatë fundjavës kanë dërguar mesazhe kontradiktore. Junta ushtarake fillimisht shprehu gatishmëri për negociata dhe më pas njoftoi se presidenti Mohamed Bazum të cilin e rrëzuan nga froni me grusht shtet më 26 korrik, do të gjykohet për "tradhti".

Takimi i Unionit Afrikan po mbahet në selinë e organizatës në Adis Abeba, ndërsa UA e ka publikuar atë në platformën X (deri para pak kohësh Tuiter).

Kryeministri i ri i emëruar nga ushtria, tha se Nigeri ka arritur të "tejkalojë" sanksionet e imponuara pas grusht shtetit.

Ndër sanksionet e miratuara nga EKOVAS janë edhe suspendimi i transaksioneve financiare me Nigerin dhe ngrirja e të gjitha shërbimeve, përfshirë shërbimet e energjisë, për shkak të të cilave vendi tashmë po përballet me ndërprerje të rrymës.

Zëdhënësi i juntës ushtarake Amadu Abdramane mbrëmë në televizionin shtetëror deklaroi se ushtria kishte "mbledhur provat e nevojshme për të ndjekur penalisht presidentin e larguar me grusht shtet si dhe bashkëpunëtorët e tij vendas dhe të huaj për tradhti dhe për minimin e sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Nigerit".

Bazum i cili ishte president i Nigerit i zgjedhur në mënyrë demokratike u largua me grusht shtet më 26 korrik dhe që atëherë ka qenë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Niamej.

Nigeri është vendi i katërt në organizatën EKOVAS prej 15 anëtarësh që në tre vitet e fundit ka përjetuar grusht shtet.

Nigeri është vend i rëndësishëm në Sahel, rajon në jug të shkretëtirës së Saharas me të cilin vendet perëndimore bashkëpunojnë në luftën kundër dhunës xhihadiste të lidhur me Al-Kaedën dhe grupin terrorist të Shtetit Islamik. qa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR