• e enjte, 26 dhjetor 2024

UNICEF-i bëri thirrje për përmbajtje nga përshkallëzimi ushtarak në Rafah

UNICEF-i bëri thirrje për përmbajtje nga përshkallëzimi ushtarak në Rafah

 Rafah, 9 shkurt 2024 (MIA) - Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi ushtarak në Rafah, në jugun e skajshëm të Rripit të Gazës, duke paralajmëruar se atje janë strehuar më shumë se 600.000 fëmijë, disa prej të cilëve janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës.

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Ketrin Rasel mbrëmë vonë deklaroi se përshkallëzimi ushtarak në Rafah do të shënonte "një kthesë tjetër shkatërruese" në një luftë që deri më tani ka vrarë më shumë se 27.000 njerëz, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. 

Ajo tha se mijëra të tjerë mund të vdesin nga dhuna ose mungesa e nevojave themelore, ndërsa ndihma humanitare mund të pengohet më tej.

"Kemi nevojë për spitalet e fundit të mbetura, strehimoret, dyqanet dhe sistemet e ujit në Gazë që të mbeten funksionale. Pa to, uria dhe sëmundjet do të përshkallëzohen dhe më shumë fëmijë do të vdesin", tha Rasel.

Më shumë se gjysma e popullsisë totale e Gazës prej 2.3 milionë banorësh ikën në Rafah, pas një urdhri evakuimi izraelit, përpara se ofensiva tokësore të zgjerohej.

Tani ka urdhër evakuimi për dy të tretat e enklavës së vogël të rrethuar.

Rasel apeloi deri te të gjitha palët në konflikt që të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, të cilat përfshijnë kursimin e civilëve dhe infrastrukturës civile.

Gjatë natës ndërmjet të enjtes dhe të premtes, sulmet ajrore izraelite vazhduan në qendër të Gazës dhe Rafas në jug, në kufirin me Egjiptin. Në to u vranë 20 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, deklaruan zyrtarët e spitalit. 

Sulmet vazhduan edhe pse presidenti amerikan Xho Bajden të enjten tha se veprimet e Izraelit në këtë luftë i konsideron të tepruara. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR